18 Nëntor, 2018 - 7:40 pm
Javën tjetër në Teatrin e qytetit “Hadi Shehu” në Gjakovë vjen premiera e shfaqjes “S’Mund të Paguajmë, S’do të Paguajmë” me regji të Hana Qenës, shkruan KultPlus.
“S’Mund të Paguajmë, S’do të Paguajmë” është titulli origjinal i komedisë“ Sotto paga, non si Paga” nga dramaturgu italian, Dario Fo e që regjisorja Qena do ta jetësojë të martën tjetër në teatrin e Gjakovës.
Premiera do të shfaqet më 27 nëntor në teatrin e qytetit “Hadi Shehu” në Gjakovë, duke filluar nga ora 19:00.
Hana Qena është regjisore e teatrit dhe bashkëthemeluese e kolektivit artistik Haveit. Ajo shkroi dhe punoi shfaqjen eksperimentale me titull “_ _ _”, shfaqje kjo që u dha në Amsterdam të Holandës dhe Bilbao të Spanjës.
Më pas ajo punoi dramën “Ëndrra e një nate vere”, në Teatrin Dodona, Prishtinë. Gjithashtu ishte regjisore e shfaqjes “Ata do të vijnë”, produksion i Qendrës Multimedia në Prishtinë, dhe bashkëregjisore në shfaqjen “Tito ëas not here”, e realizuar në Banja Llukë të Bosnjes. Së fundmi punoi “Hamletmachine” në Skenën e vogël të Teatrit Kombëtar, Prishtinë. Ka qenë drejtoreshë e festivalit SKENA UP ndërsa aktualisht është anëtare e bordit drejtues të teatrit Dodona në Prishtinë dhe pjesëtare e kolektivit Haveit. / KultPlus.com