22 Janar, 2018 - 9:13 am
Festivali i dramës shqipe “Talia e Flakës” ndër vite ka mbledhur më së shumti shikues në manifestimin “Flaka e Janarit”.
Edhe sivjet në këtë festival do të marrin pjesë teatro nga të gjitha trevat shqiptare, kurse organizatori është përpjekur që të sjellë në Gjilan shfaqjet më të mira, me autorë shqiptarë.
Bashkim Nexhipi, koordinator i “Flakës së Janarit 2018”, ka thënë se kështu, në natën e parë, më 22 janar, që është edhe mbrëmje hapëse, të parët do të paraqiten vendasit, Teatri i Gjilanit, i cili do të japë shfaqjen “Një natë në hotel” me tekst të Muharrem Shahiqit, me dramatizim të Agush Mulliqit e në regji të Bashkim Ramadanit.
Në mbrëmjen e dytë do të jepet shfaqja “Kosovatrans” e Teatrit “Agush Ramadani” të Podujevës, me tekst e regji të Naser Shatrollit.
Teatri Shqiptar i Shkupit, në mbrëmjen e tretë të festivalit do të jap shfaqjen “G” të autorit Gjergj Fishta me dramatizim dhe regji të Sulejman Rushitit.
Regjisori Milto Kutali, i cili më herët kishte realizuar shfaqje edhe në Gjilan, kësaj radhe do të sjellë shfaqjen nga Shqipëria “Rrno për me tregue”, të cilën e pati shkruar At Zef Pllumi.
Teatri nga Prishtina “Dodona” do të paraqitet me shfaqjen “Portreti i pakryer”, të autorit Besim Rexhaj e regjinë e së cilës e ka bërë Elmaze Nura.
Festivalin do ta përmbyll shfaqja “Në dorë të fatit…” e Teatrit “Petro Marko” nga Vlora, tekstin e së cilës e ka bërë Ledian Gjeçi, kurse regjia është e Arben Kumbaro.
Të gjitha shfaqjet do të nisin me fillim në ora 19:00./ KultPlus.com