Sonte premiera e shfaqjes “Babai dhe Babai”, një histori tronditëse dhe një traumë e thellë shoqërore

16 Maj, 2022 - 6:31 pm

Me tekstin “Babai dhe Babai” nga Jeton Neziraj, nën regjinë e Kushtrim Koliqit dhe me aktorët Ilire Vinca, Bujar Ahmeti dhe Kosovare Krasniqi, Integra ka realizuar një tjetër projekt teatror i cili në një mënyrë të jashtëzakonshme e trajton çështjen e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë. Me një ndërthurje mahnitëse mes trajtimit të kësaj çështjeje nga aspekti i “të pagjeturve” dhe nga aspekti i atyre që ata lanë pas, kjo shfaqje na sjell jetën dhe sfidat e një familje normale e të zakonshme, të paktën në dukje, përcjellë KultPlus.

Shfaqja paraqet jetën e Dinit, i cili jeton me gruan e vet Sarën dhe vajzën e tyre Lolën. Jeta e tyre është goxha e njëtrajtshme, megjithatë, kjo njëtrajtshmëri duket se vie nga hallet e problemet e jetës me të cilat ballafaqohen. Por përtej kësaj ‘njëtrajtshmërie’, duket se në shtëpi ka edhe një palumturi të pashpjegueshme.

“Babai dhe Babai”, në dukje një dramë për sfidat e zakonshme të jetës së një familjeje, na zbulon një histori tronditëse dhe një traumë të thellë shoqërore, një plagë që ka ngelur e pashëruar dhe e cila personazhet i mban peng, përgjithmonë.

Përfundimisht, kjo është një dramë për ata që duam t’i mbajmë afër… dhe i mbajmë, në një mënyrë apo tjetër!

Pjesë e ekipit artistik të këtij prodhimi janë edhe Njomëza Luci, kostumografe; Adhurim Grezda, kompozitor; Mentor Berisha, skenograf; Kaltërim Balaj, asistent regjisor; Leart Rama, video realizator, Skender Latifi, dizajner i dritave dhe Florian Mehmeti, dizajner.

Premiera e shfaqjes “Babai dhe Babai” do të jepet më 16 maj 2022, prej orës 20:00 në Muzeun Etnologjik “Emin Gjiku” në Prishtinë. Për të vazhduar menjëherë më 17, 18 e 19 maj, me reprizat e para të kësaj shfaqje, që do të jepen nga ora 20:00, po ashtu në Muzeun Etnologjik “Emin Gjiku” në Prishtinë.

Kjo shfaqje është realizuar nga Integra, dhe është mbështetur nga NED, PAX, Bashkimi Evropian, Fondi për Zhvillim Komunitar, Ambasada e Suedisë në Prishtinë, Rockefeller Brother Funds dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës. / KultPlus.com

Të ngjajshme