2 Shkurt, 2019 - 3:40 pm
Sopranoja shqiptare Blerta Zhegu po vijon një aktivitet më vlerësime në skenën italiane.
Këto ditë sopranoja shqiptare ishte pjesë e veprës operistike “La boheme” në skenën e Teatrit Goldoni të Livornos në Itali. Po me këtë vepër sopranoja do të jetë dhe në muajin mars në Lucca. Vepra ishte bashkëpunim dhe me Teatro dell’Maggio Fiorentino, dhe dirigjente Gianna Fratta. Sopranoja shqiptare u ngjit në skenë me rolin e Musettës, ku mori vlerësimet nga publiku dhe kritika. Ajo tregon se është munduar ti japë këtij personazhi një identitet sa më origjinal. “Duke qenë se kisha të bëja me një personazh shumë të njohur për publikun italian si ai i Musettës në “La boheme” mu desh të mundohesha ti jepja një identitet sa më origjinal këtij personazhi duke evidentuar cilësi të tilla si eleganca, kokëfortësia, antikonformizmi apo sensualiteti që përbëjnë pikërisht sharmin e saj”, tregon sopranoja. Vepra e Puçinit pati sukses në skenë dhe për sopranon roli i Musettës është më i dashuri.
“Nuk jam një zë “puçinian” dhe nuk janë të shumta rolet e këtij kompozitori që mund të interpretoj, por ndër rolet më të dashura të të gjithë repertorit tim mbetet Musetta, për entuziazmin që ajo sjell në skenë dhe freskinë që i jep operës. Gjithashtu është dhe një rol, i cili më ka sjellë gjithmonë fat”, tregon sopranoja Blerta Zhegu.
Musetta në “La boheme” është roli i parë në 2019 të cilin sopranoja shqiptare e interpretoi në premierën e operës në Teatrin Goldoni të Livornos. Por ajo shprehet se është po aq e lumtur, që do të jetë dhe në Lucca. “Rolit do ti rikthehem në mars në Teatro del Giglio të Lucca-s. Jam e lumtur që do të debutoj këtë rol në Lucca, në qytetin e Puçinit siç pata kënaqësinë në dhjetor të interpretoj protagonisten e operetës “Si” të Mascagnit në qytetin e tij, Livorno. Ndërsa në shkurt do të jem në Teatrin Filarmonik të Veronës si Norina, protagonistja e operës “Don Pasquale” të Donizetit”, vijon të tregojë sopranoja shqiptare Blerta Zhegu që po merr vlerësime në skena ndërkombëtare. Opera puçiniane “La boheme”, marrë nga romani fejton: “Skena nga jeta e bohemit” të Henri Murger, u gërshetua në katër akte me libret të Luigi Illica dhe Giuseppe Giacosa. Ajo rrëfen telashet e një grupi të vogël artistësh që mundohen të jetojnë, për më shumti arrijnë të çalltisin, për pasionin e tyre më të madh: artin, ngazëllyer nga atmosfera gjallëruese pariziane e atyre viteve.