Sot feston ditëlindjen regjisori Pëllumb Kulla

10 Janar, 2023 - 8:45 pm

Sot është dita e lindjes e shkrimtarit, përkthyesit, dramaturgut, regjisorit, diplomatit dhe publicistit Pëllumb Kulla, i cili mbushi 83 vjeç.

“Krahas kontributeve të shumta në disa fusha në rrafsh kombëtar, në Fier veçanërisht, ai ka meritën e veçantë, se e ngriti Estradën dhe Teatrin Bylis në majat më të larta, duke krijuar personazhe që janë skalitur në kujtesën e publikut në mbarë Shqipërinë”, shkruan në urimin e tij, kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, duke i uruar artistit jetë të gjatë.

Pëllumb Kulla punoi për 18 vjet si regjisor i Estradës dhe Teatrit të Fierit.

Nën drejtimin e Kullës, Estrada e Fierit arriti majat e suksesit. Gjatë kësaj kohe shkroi rreth 300 skeçe dhe komedi me një akt, 40 kuplete dhe 23 monologë, shumica e të cilëve u shfaqën në TV.

Nga 1977 deri më 1990, Kulla ishte bashkëpunëtor i përhershëm i TVSH-së për spektaklin e Vitit të Ri. Paralelisht me punën në Estradë, realizoi dhjetë produksione dramatike, të gjitha drama ose komedi të shkruara prej tij.

Në vitet ’80, humori i Kullës kaloi edhe në kinema. Me skenar të tij u xhiruan kinokomeditë “Telat për violinë” dhe “Stolat në park”.

Më 1990 u largua nga Fieri, për të nisur punën si pedagog, e më pas dekan i Fakultetit të Artit Skenik, në Tiranë. Karriera e tij pedagogjike nuk zgjat shumë pasi në 1992 u emërua Sekretar për Kulturën dhe Shtypin në Ambasadën e Shqipërisë në Bonn dhe një vit më pas ambasador në misionin shqiptar pranë OKB, në Nju Jork (1993-1997).

Është vlerësuar me titullin “Nderi i Qarkut” Fier (2005) dhe me dekret të Presidentit Alfred Moisiu i është akorduar titulli “Mjeshtër i Madh” (3 dhjetor 2003)./KultPlus.com

Të ngjajshme