6 Dhjetor, 2020 - 12:29 pm
6 dhjetori përveç lindjes së një fëmiu në familjen Brahimaj, do të shënonte edhe lindjen e një personi i cili do të kthehej në ikonë të Baletit Kombëtar të Kosovar, shkruan KultPlus.
Ahmet Brahimaj lindi në fshatin Novosellë të Pejës. Lidhja e tij me baletin filloi që në bankat e shkollës së mesme, atëherë kur vazhdoi shkollimin në Shkup për të hyrë në historinë e gjeneratës së parë të Baletit të Kosovës.
Viti 1972 përveç që u bë koha kur u rikthye në Prishtinë, kjo periudhë shënon edhe kohën e formimit të Ansamblit të Baletit, për t’u gdhendur në kujtesën kulturore të vendit.
Si solist i kësaj trupe, Brahimaj ka qenë aty në çdo shfaqje të asaj kohe, duke jetësuar role në 38 premiera të baletit.
Mirëpo, ai nuk mbeti vetëm solist, në vitin 1985 Brahimaj emërohet Shef i Baletit. Për punën e tij krijuese ai mori shumë lëvdata, si dhe për nder të 48 vjetorit, u dekorua me “Plaketën e Teatrit Popullor Krahinor” (1986), dhe me rastin e 60 vjetorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, është shpërblyer për punën artistike e krijuese.
Veprimtaria e tij kulturore nuk mbetet vetëm me kaq. Pas luftës, së bashku me disa nga kolegët e tij, hapin Shkollën e Mesme të Baletit, në kuadër të shkollës së muzikës “Prenkë Jakova”, në Prishtinë.
Klasa e Ahmet Brahimajt u diplomua në vitin 2005, dhe është gjenerata e parë pas luftës e njëherit edhe bërthama e Baletit të Kosovës. Gjithashtu, Brahimaj ka kontribuar dhe në formulimin e Ligjit të Operës, Filharmonisë dhe Baletit, Ligj I cili është në funksion tani dhe është aprovuar në vitin 2005.
Edhe pas vdekjes së tij në moshën 66 vjeçare, të gjithë kolegët e tij e kujtojnë me mall dhe dashuri për përkushtimin dhe mundin e madh që dha në skenë dhe për skenën. Shfaqjet në të cilat ai shkëlqeu me rolet e tij janë listë e gjatë, e që përfshijnë “Karmen” (Don Hose), “Romeo e Xhyljeta” (Romeo), “Zhizela dhe Interplay” (Albert), “Era dhe Kolona” (Komandanti), “Piter Pan” (Kryeplaku Indian),” Kopelia” (Prefekti), “Don Kishoti” (Espado), “Halili e Hajria” (Sadiku), “Bolero e Shtrausiana”, “Vallja pranverore”, “Trëndafili I përgjakur” (Luisillo), “Ritme të zgjuara”, “Kënga e Rexhës” (Valleheqësi), “Besa” (Princi), “Balloja e Kadetëve”, “Zef Lush Marku” (Tri hije të vdekjes), “Loja e Sizifit” (Udhëheqësi I), “E bukura More” (Thanasi), “Legjenda mbi ngadhnjimin” (Vdekja), “Mbrëmje baleti”, kurse Hans Fyelltarin te “Fyelltari” dhe te shfaqja “Tranzicion II” ka luajtur pas luftës, në vitin 2001/02.
Vepra e tij do të mbetet e paharruar për jetën kulturore të vendit. / KultPlus.com