27 Tetor, 2020 - 10:25 am
Sot në ora 20:00 në teatrin ODA në Prishtinë, shfaqja “Balava”, prodhuar nga Heartefact Fund në Beograd hapë edicionin e tretë të Kosovo Theater Showcase, përcjellë KultPlus.
Për pesë ditë me radhë, në kuadër të Kosovo Theater Showcase do të organizohen shfaqje të prodhuara nga teatrot lokale dhe ato të rajonit [Qendra Multimedia, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri i Qytetit të Gjilanit, Teatri “Adriana” i qytetit të Ferizajt, Teatri “Metropol” në Tiranë, Integra në Prishtinë si dhe Heartefact Fund në Beograd].
Përgjatë pesë ditëve do të organizohen edhe ngjarje të tjera me qëllim rrjetëzimin e profesionistëve vendorë të teatrit me mysafirët e Showcase-it të cilët janë punëtorë ndërkombëtarë teatrorë (regjisorë, përzgjedhës festivalesh, aktorë etj.) Poashtu, do të organizohen dy panele diskutimi:
Njëri më 28 tetor duke filluar nga ora 11:00 në Teatrin ODA në Prishtinë, mes aktoreve të njohura serbe Mirjana Karanovic dhe Jasna Duricic. Tjetri më 30 tetor duke filluar nga ora 10:00 në Teatrin ODA, ku do të flitet për gjendjen e teatrove para, gjatë dhe pas pandemisë si dhe do të prezantohet raporti i hulumtimit në lidhje me gjendjen e teatrove lokale në Kosovë. Në këtë diskutim do të na bashkohen Vlora Dumoshi, Ministre e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Florent Mehmeti, drejtor ekzekutiv në Teatrin ODA dhe Erson Zymberi, drejtor i Teatrit të Qytetit të Gjilanit. Diskutimi do të moderohet nga Shaban Maxharraj, gazetar për kulturë dhe autor i hulumtimit. / KultPlus.com