3 Nëntor, 2021 - 6:30 pm
Në kuadër të Kosovo Theatre Showcase, sot duke filluar nga ora 20:00 në Prishtinë ipet premiera botërore e shfaqjes ‘Balkan Bordello’ të Jeton Nezirajt në regji të Blerta Nezirajt.
Kjo shfaqje vie si koproduksion i teatrit La MaMa nga New York, Qendrës Multimedia nga Prishtina, teatrit Atelje 212 nga Beogradi dhe fondacionit My Balkans nga New York dhe Beogradi. Në shfaqje luajnë një kastë prej 10 aktorësh amerikanë, serbë e shqiptarë; Onni Johnson, Svetozar Cvetković, George Drance, Eugene the Poogene, Valois Mickens, John Maria Gutierrez, Mattie Barber-Bockelman, Ivan Mihailović, Matt Nasser e Verona Koxha.
E bazuar në trilogjinë Orestia të Eskilit, ‘Balkan Bordello’, përmes humorit të zi prekë indin e temparamentit ballkanas, gjurmon morbideitetin e shpirtit njerëzor dhe nxjerrë në pah budallallëkun dhe naivitetin e një epoke që po ndërtohet mbi themele të dhunës, mosdurimit e urrejtjes.
Si pasojë e kësaj, personazhet e dramës i nënshtrohen fatit dhe gati pavetëdijshëm bien në grackën e palumturisë dhe të shkatërrimit. ‘Balkan Bordello’ është dramë për shoqëritë e traumatizuara që hanë vetveten. “Balkan Bordello është një rrëfim epik për një epokë të çmendur të cilën jemi duke e jetuar. Demokracia nuk mund të merret si e mirëqenë. Beteja për të duhet të jetë e vazhdueshme. Çdo luhatje nga ky synim u lëshon vend fantazmave të luftës, abuzuve të forcës dhe autokratëve që fatin e shoqërive që i sundojnë e shohin si të ishte lojë e ruletit rus. Shembujt i kishim dje – i kemi edhe sot! Ballkani i gjakut i viteve të 90-ta dhe Ballkani i etjes për hakmarrje tash”.
“Duke e huazuar pejsazhin e Orestisë së Eskilit, shfaqja evokon arketipin e një shoqërie që del nga lufta në një gjendje konfuzioni, ku raportet e rregullit dhe pushtetit të vjetër janë përmbysur, e rregulli e pushteti i ri nuk duket të kenë legjitimitet, sepse janë të bazuara në forcë”, ka shkruar për shfaqjen sociologia e analistja Anna Di Lellio.
“Në të vërtetë pak gjëra kanë ndryshuar që nga vepra e Eskilit e shkruar në Greqinë Antike e deri më sot: asgjë nuk mund tu japë një shpjegim të arsyeshëm tragjedive njerëzore të shkaktuara nga njerëzit dhe në këtë kuptim ‘Balkan Bordello’ e adreson këtë pakuptimësi me anë të një humori specifik që ne e njohim mirë”, shpjegon Jeton Neziraj, autor i Balkan Bordello.
Nga ana teknike, për këtë shfaqje janë angazhuar profesionistë të shquar të teatrit. Muzika: Gabriele Marangoni. Skenografia: Marija Kalabić. Kostumet: Gabriel Berry. Koreograf: Gjergj Prevazi. Koncepti visual dhe i dritave: Nico de Rooij.
Pas premierës në Prishtinë, në kuadër të Kosovo Theatre Showcase shfaqja do të ipet në Gjilan dhe Ferizaj ndërsa gjatë nëntorit Balkan Bordello do të prezentohet edhe në Tiranë (6 nëntor) e Beograd (8 dhe 11 nëntor) para se të shfaqet edhe në teatrin prestigjioz La MaMa në New York gjatë marsit të vitit të ardhshëm. / KultPlus.com