25 Nëntor, 2024 - 3:18 pm
Isak Bilalli
(In memoriam Raif Haziri – Spira 1958-2021)
Ikja e beftë nga kjo botë tash e më shumë se tre vite e Raif Hazirit, ishte një tronditje për miqtë e dashamiret e shumtë ndërsa për komunitetin artistik Gjilanas, një mungesë e theksuar që kujtohet me konsideratat të larta si një njeri që kontribuoi palodhshëm në shërbim të artit e kulturës në teatrin e qytetit.
Kjo mungesë e dhembshuri, vërehet edhe sot sepse i ndjeri ishte plot jetë dhe gjallëri ndaj dhe largimi nga kjo botë preku thellë zemrat e të gjithëve që e kanë njohur. Është interesante që edhe spektatorët e artdashësit që e kanë takuar qoftë edhe njëherë të vetme të mos e kenë njohur Spirën dhe me pas ky emër të mos asociojë me teatrin e skenën në Gjilan.
Raifi apo Spira, siç e njihnin i madh e i vogël, ishte një qytetar i ndershëm dhe një artdashës i pakursyer, i cili aktivitetin jetësor ia dedikoi jetës kulturore dhe zhvillimit te saj.
Veprimtaria dhe aktiviteti i tij, lidhet me skenën dhe teatrin sepse shumica absolute e njihte me nofkën “Spiro” emër që ju vendos nga roli i tij i parë në shfaqjen “Dasmë pa nuse”. Emri i skenës rezultoi të mos jetë pa shkas sepse i madh e i vogël identifikonin atë, si një njeri që reprezentonte vendin e tij të punës, teatrin. Ky asociim logjik ishte në përputhje të plotë me mënyrën se si punonte Raifi sepse ka qenë e pamundur, të zhvillohej një projekt në skenë dhe gjatë realizimit të mos ndodhej ai në dispozicion në një mënyrë apo tjetër.
Njeri me përkushtim të rrallë në punë që asnjëherë nuk është parë me disponim të vrërët, por gjithmonë i dashur, pozitiv, motivues, me humor të pashterur që nuk ka ditur asnjëherë t’i thotë jo, çfarëdo lloj angazhimi teatral. Të gjithë, në teatër e kanë ditur se mund të llogarisësh në Raifin për të realizuar gjithçka qoftë edhe përmes një njoftimi në kohë të shkurtër, ai ka arritur të realizojë gjerat si me çudi-bërje.
Kuraja dhe vullneti i fortë që kishte Raifi, për t’i ofruar publikut art cilësore, e bënte atë të palodhshëm në aktivitetet e ndryshme teatrale e për rrjedhojë të dallohej me energjinë e pashtershme si një nga punonjësit më të dalluar dhe më entuziast. Buzagaz, pozitiv, zgjidhës i çfarëdo situate të ndërlikuar, motivues për të vazhduar tutje kundrejt çfarëdo vështirësie dhe një prodhues humori edhe në situata të rënda presioni janë disa nga virtytet që Spira i reflektonte në çfarëdo projekti, ku angazhohej, numri i të cilëve nuk është i vogël. Këtë lloj qasje Raifi e ka pasë nga dita e parë kur ka ardhur në Teatër në vitin 1977 deri në natën kur ndërroi jetë.
Raif Haziri, kishte ardhur në teatër, falë pasionit që kishte për letërsinë dhe posaçërisht për interesimin e tij në recitimin e poezive, të cilën mjeshtëri dëshironte si i ri ta përvetësonte duke ardhur në këtë tempull kulture, e në këtë mënyrë mbeti besnik deri në fund. Edhe gjatë kohës sa studioi Shkollën e Lartë Pedagogjike mendjen dhe trupin e kishte në Teatër duke u angazhuar në shfaqjet që ishin në repertorin e kohës.
Teatri i Gjilanit nuk ka njohur dhe nuk ka për të ardhur pas Raifit një i dytë që do i shërbejë me më devotshmëri dhe përkushtim këtij institucioni siç bëri i ndjeri. Ai, vinte gjithmonë i pari në punë, para të gjithëve dhe ikte në shtëpi natën vonë pasi treteshin të gjithë dhe këtë praktikë e ka ushtruar përgjatë gjithë karrierës së tij jetësore. Kjo dinamike e tij ishte shqetësuese për familjen e tij sepse streha e tij e parë ishte teatri dhe ne shtëpi ikte vetëm për gjumë. Realisht, Raifin e gjeje çdo ditë, në çdo kohë në teatër, skenë, zyrë apo në secilin cep të shtëpisë së tij që quhej teatër.
Pasioni i tij dhe dashuria unike që kishte për Teatrin e bënë atë një nga figurat më emblematike, dhe falë këtyre virtyteve ai shërbeu duke filluar si amator, dhe arriti të prek pothuaj se të gjitha pozicionet e mundshme: aktor, organizator, regjisor i shfaqjeve për fëmijë, bifeist, biletist, inspicient, specialist muzike, zërimi, kostumografie e skenografie e çka jo tjetër.
Universalizmi në mbulimin e çështjeve teknike krahas përgjegjësive në realizimin e roleve në skenë për Raifin ishte një praktikë e bëshme dhe e realizueshme shpejt e mirë edhe pse atij i merrte kohë por gjithmonë dilte vullnetarë për të marrë këto detyra shtesë. Mbase, ai pranonte më shumë përgjegjësira për shkak të dashurisë së madhe që kishte për skenën por duhet pasë parasysh kontekstin kohorë, në të cilin ai ka shërbyer në teatër që, mbase ka qenë shtysa kryesore sepse ishte gati për çdo lloj shfaqjeje të jepte shumëçka nga vetja, përderisa nevoja ishte e madhe për njerëz si ai.
Raifi, ka ardhur në teatër si i ri entuziast në një kohë që këtij institucionit i kanë munguar jo vetëm aktorët por pothuajse çdo lloj teknicieni që ishin pjesë e rëndësishme e realizimit efikas të një shfaqjeje. Me kohë, Raifi e ka gjykuar që teatrit i duheshin njerëz që duhet të sakrifikonin shumë dhe duhej lënë mangut shumëçka nga jeta familjare dhe kërkohej të jepej prioritet agjendës se projekteve që prodhonte ky institucion.
Vitet kur Raifi iu bashkua teatrit (1977) ishin vite të ngritjes profesionale të hovshme, të këtij institucioni, që kërkonin punonjës të përkushtuar dhe të zellshëm, mungesa e të cilëve, ishte tejet e theksuar ndaj dhe profili i të ndjerit tejkalonte çdo aspekt pritshmërie të të gjithëve sepse ishte e dukshme që Raifi e donte fort teatrin e skenën dhe ishte i gatshëm të jepte kontributin e tij pa asnjë hezitim. Si i ri, Raifit iu besuan fillimisht role të vogla episodike por me peshë për nga vetja. Në veçanti, realizimi skenik por puna e tij që nga fillimi nuk ka qenë e kufizuar vetëm në trajtesën e roleve sepse ai donte gjithmonë më shumë. Vullneti dhe dëshira e tij e flaktë që çdo shfaqje të luhej sa më bukur, ishte qëllimi kryesor, ndërsa kontributin e tij e quante obligim që shpërblehej me kënaqësinë që e shijonte publiku.
Me te njëjtën frymë veproi dhe kontribuoi Raifi edhe në kohët më të vështira, menjëherë pas dëbimit të punonjësve shqiptarë nga objekti i teatrit, periudhë në të cilën iu shtua entuziazmi, përkushtimi e dashuria për punën e tij sikur ti hidhet benzinë zjarrit. Situata e krijuar dhe nevoja e madhe e popullit për të konsumuar me shumë kulturë e art, ishte një shtysë që i ndjeri të shumëfishonte aktivitetin profesional. Kjo ishte koha kur e gjithë barra e realizimit të shfaqjeve binte mbi shpatullat e tij, sepse pothuajse duhej të zëvendësonte i vetëm një ekip të tërë që merret në prapaskenë me shfaqjen. Sot është e vështirë të mendohet që një njeri i vetëm, mund të përballojë organizimin e një shfaqje me të gjitha obligimet e planifikuara dhe ato të pa-parashikueshme, kuptohet vetëm me ndihmën dhe asistencën e nduardurshme që ka ardhur nga i gjithë ekipi që kanë luajtur në shfaqje.
Këtyre vështirësive i është vënë edhe ngarkesa tjetër rrethanore sepse punonjësit e teatrit e bënin punën si vullnetarë njësoj si mësuesit ndaj dhe gjatë kësaj kohe. Raifi, detyrohej që ditën të shiste derivat me bidona ndërsa darkave merrej me punët e teatrit, në vartësi të përgjegjësive të marra herë në realizim rolesh, organizim shfaqjesh, organizim të orëve letrare apo aktivitete të ndryshme kulturore.
Periudha e pasluftës, natyrshëm e gjeti Raifin në detyrën që dinte ta bënte më së miri, të ishte referenca e të gjitha zgjidhjeve për çdo shfaqje respektivisht si organizator i shfaqjeve dhe këtë detyre e kreu me përgjegjësinë më të madhe dhe me përkushtim të njëjtë sikur në fillesat e para kur erdhi si amator.
Përkundër detyrave dhe obligimeve të shumta, në çështjet organizative që e obligonte detyra funksionale, përveç roleve në teatër ai, në periudhën e pasluftës u sfidua si regjisor në realizimin e dy shfaqjeve për fëmijë të cilat u vlerësuan si shfaqje te suksesshme dhe që zgjuan kërshërinë e moshave të vogla.
Nuk duhet lënë anash që në Raifin kishin besim edhe regjisorët e producentët e filmit të cilët e projektuan në role të vogla si në filma të metrazhit të gjatë siç është “Nëntoka” I dhe II por sidomos në filma të metrazhit të shkurtër apo dhe në seriale televizive, ku u shfaq si një figurë mjaft e pëlqyer për publikun.
Ataku kardiak i ndërpreu aktivitetin dhe jetën në prill të vitit 2021 fill pasi përfundoi shfaqjen “E vërteta” të autorit Florian Zeller dhe mori rrugën për në shtëpi e që më pas u dërgua në urgjencë por nuk mbijetoi.
Raifi mbetet një nga figurat shumë të dashura, i zellshëm, punëtor dhe besnik deri në skajshmëri për institucionin që ka emrin Teatër./ KultPlus.com