4 Dhjetor, 2021 - 6:58 pm
Shfaqja “Stiffler” në Teatrin ODA do të ketë premierën e saj sonte, kur edhe do të shfaqet me fillim nga ora 20:00, shkruan KultPlus.
Përmes një njoftimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Teatri ODA ka njoftuar se për dy ditë radhazi, kjo shfaqje do të ketë premierën dhe reprizën më 4 dhe 5 dhjetor respektivisht.
Shfaqja tregon përvojën e Havës, një punëtore seksi e therur me thikë në shpinë nga një klient i saj, e cila kalon 24 orë duke kërkuar ndihmë nëpër institucione dhe adresa të ndryshme, ku trajtohet e gjykohet si kriminele e jo si viktimë e një krimi.
Shfaqja ka marrë titullin “Stiffler”, kështu duke portretizuar thikën të cilën Hava e mban të ngulur në shpinë përgjatë gjithë shfaqjes si simbol të asaj që ajo merr në secilin institucion e derë që troket për të kërkuar ndihmë, një tjetër thikë të ngulur në plagën që vazhdon t’i qëndroj hapur.
Pjesë e ekipit artistik të këtij prodhimi janë edhe Njomëza Luci, kostumografe; Genc Elezaj, kompozitor; Mentor Berisha, skenograf; Kreshnike Osmani, asistent regjisore; Leart Rama, video realizator, Yann Perregaux, dizajner i dritave dhe Gëzim Ramizi, dizajner.
Kjo shfaqje realizohet nga Integra në bashkëpunim me Fondin për Zhvillim Komunitar, The Global Fund, Ambasadën e Suedisë në Prishtinë, Rockefeller Brother Funds, Kumunën e Prishtinës, Teatrin ODA dhe Qendrën Multimedia./ KultPlus.com