12 Prill, 2025 - 12:02 am
Flonja Haxhaj
Mbrëmjen e 10 prillit, skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës u transformua në një hapësirë intime reflektimi teksa u shfaq repriza e shfaqjes “Streha e Nemun”, shfaqje kjo që sfidon emocionet dhe mendjen përmes një rrëfimi të thellë dhe të ndjeshëm. Me regji nga Ilir Bokshi, shfaqja mysafire ‘Streha e nemun’ vjen si një tragjikomedi që pasqyron brengën dhe dramën e brendshme njerëzore, shkruan KultPlus.
E frymëzuar nga teksti “Liza në Maj”, shfaqja ‘Streha e nemun’ shpërfaq një realitet modern që lufton kundër vetmisë, ngjyrosur përmes lojës së aktorëve edhe me doza komike.
Shfaqja ka në qendër personazhin kryesor, Lajzelotën, një infermiere 35-vjeçare, e cila kalon përmes labirinteve të vetmisë, dashurisë së parealizuar dhe nevojës për përkatësi. Personifikuar nga aktorja Albulena Kryeziu Bokshi, Liza na prezanton një figurë të një gruaje të ndërtuar me përplot kontradikta dhe ndjeshmëri, duke pasqyruar botën e brendshme dhe dilemat bashkëkohore të kohës.
Gjatë gjithë shfaqjes, publiku ndjek takimet e Lizës me një sërë burrash të ndryshëm, secili prej tyre me karakter më të ndryshëm se tjetri. Këto figura mashkullore, të luajtura me ndjeshmëri dhe finesë nga aktorët Ledion Zoi dhe Adrian Morina, përfaqësojnë aspekte të ndryshme të marrëdhënieve njerëzore. Por, çdo takim i Lizës, sado premtues, përfundon me tragjedi, secili nga burrat që hyn në banesën e Lizës vdes, duke e lënë atë gjithnjë e më të vetmuar dhe të brishtë emocionalisht.
Këto humbje të njëpasnjëshme ndërtojnë një simbolikë të fortë mbi zhdukjen e shpresës dhe frikën që e përndjek njeriun në epokën bashkëkohore, vetminë.
Liza, në përpjekjen e saj për të gjetur dashuri dhe një vend ku të përkasë, përballet me një realitet të hidhur ku çdo afrim sjell më shumë boshësi.
“Streha e nemun” është më shumë se një rrëfim, është një pasqyrë përballë njeriut të sotëm, që në heshtje kërkon dashurinë, kuptimin dhe një strehë të sigurt në kaosin e brendshëm.
Regjisori Ilir Bokshi, e vlerëson shfaqjen “Streha e Nemun” si një bashkëpunim të suksesshëm ndërmjet artistëve dhe institucioneve kulturore nga Kosova dhe Shqipëria. “Kjo është një shfaqje e mbështetur nga Ministria e Kulturës në Kosovë, bashkëprodhim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë. Ka qenë një punë e mirë bashkë me aktorët, ka pasur një harmoni mes secilit dhe në fund doli një projekt me të cilin po mburremi. Kjo shfaqje ka pasur një impakt të madh edhe tek publiku, një impakt që nuk e kemi pritur”, tha bokshi, duke shtuar më tutje se vlerëson se publiku ka nevojë për shfaqje të tilla kur përveç se shohin art, edhe argëtohen.
Ndërkaq, për aktoren Albulena Kryeziu – Bokshi, interpretimi i rolit të Lizës ka qenë një përvojë e veçantë. Në një prononcim për KultPlus, ajo shprehu emocionet e saj për suksesin e shfaqjes.
“Çdo gjë rreth shfaqjes po shkon shumë më mirë se sa që e kemi paramenduar sepse kemi pasë shumë punë intensive sa që nuk kemi menduar për rezultatin. Premiera ka shkuar shumë mirë, gjithashtu edhe reprizat në Tiranë, Gjakovë dhe sonte në Prishtinë. Vërtet është një rol i bukur, jam me fat sepse rolet e grave rrallë gjenden, sidomos kur janë kryesore dhe kaq voluminoz siç është roli i Lizës”, tha Kryeziu – Bokshi.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë sociale të temave që trajton shfaqja, të cilat shpërfaqin një realitet bashkëkohor sidomos kur bëhet fjalë për pozitën e grave në shoqëri.
“Është një realitet i hidhur i cili përkon me shoqërinë tonë, me trysninë që i bëhet grave në përgjithësi pas moshës 35-vjeçare që të martohe, është vërtet e dhimbshme. Shfaqja gjithashtu trajton edhe temën e vetmisë, e cila është e pranishme tek shumë njerëz. Jam e lumtur me gjithë punën që kemi bërë dhe shpresoj që shfaqja të vazhdojë rrugëtimin e saj edhe në qendra të tjera sepse edhe publiku e ka mirëpritur shumë deri më tani,” përfundoi ajo.
Ju kujtojmë se shfaqja ‘Streha e nemun’ është një shfaqje mysafire e cila pati premierën në Teatrin kombëtar të Kosovës më 25 mars. Pas premierës, shfaqja pati reprizën në Tiranë, Gjakovë dhe mbrë në Prishtinë./KultPlus.com