Struga mirëpret artistët në edicionin e katërt të festivalit ‘K’tu fest’

5 Gusht, 2017 - 2:29 pm

Festivali i teatrove “K’tu fest”, mbrëmë ka hapur dyert për artistët. Në këtë edicion të katërt të festivalit i cili mbahet në Strugë, gjatë pesë netëve sa zgjatë ky festival, do të shfaqen vepra teatrore nga autorë shqiptarë dhe të huaj.

Aktorë të njohur shqiptarë si: Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Mirush Kabashi, Yllka Mujo, Zijadin Selam, etj, mbrëmë ishin të pranishëm në ceremoninë e hapjes së këtij festivali.

Gjatë kësaj mbrëmje është shfaqur edhe premiera e dokumentarit nga autorja Merita Cocoli rreth historikut dhe zhvillimit të teatrit të Korçës. Personazhe të këtij dokumentari ishin aktorë, regjisorë, kineastë e njerëz të artit nga Korça të cilët shpalosën përvojën artistike të këtij teatri.

Po ashtu është ndarë çmimi “Art Gratia Artis” e cila iu nda politikanit Niko Pelleshi si mirënjohje për angazhimin e tij të pa kursyer për kulturë e art. Ndërkaq, më pas është shfaqur një program muzikor me serenata korçare nga këngëtarja Laxarela.

Festivali vazhdon sonte me një program, të pasur ku nga Teatri i Shkupit do të jepet shfaqja “Shfaqja që shkron mbrapsht” e regjisorit Agon Miftari.

Festivali “K’tu fest” i cili ka filluar mbrëmë dhe do të zgjasë deri më datë 9 gushtë, organizohet çdo vit në Strugë nga regjisorët Olsa dhe Xheladin Poshka dhe gjatë këtyre viteve në festival kanë parakaluar aktorë dhe shfaqje nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Rumania etj. / KultPlus.com

Të ngjajshme