Studio “Angels” hap të mërkurën pikën në Prishtinë, si një mundësi për balerinët e rinj

1 Shkurt, 2021 - 11:28 pm

Lëvizjet artistike, ndjekja e ritmit, qëndrimi i duhur trupor zhvillohen nëpërmjet stërvitjeve të duhura për ata të cilët dëshirojnë të trasojnë rrugët e baletit. Pikërisht për t’ua mësuar këto të rinjve, Studio e Baletit “Angels” ka marrë një iniciativë të re, shkruan KultPlus.

E ndodhur qe 7 vite me seli në Lipjan, tanimë “Angels” do të hap dyert për balerinët e ri në Prishtinë, në Qendrën Tregtare Dardha.

Leksionet nga Sead Vuniqi dhe Vlora Prizreni do të bëjnë që artdashësit skenik të grup moshave 4 deri në 17 vjeç të shkëlqejnë nën lëvizjet e baletit.

Sead Vuniqi si pjesëtar i Baletit Kombëtar të Kosovës ka treguar për KultPlus për përbërjen dhe strukturën punuese të studios së baletit “Angels”.

Ai rrëfeu se si ideja e hapjes së një studioje të tillë ka lindur nga interesimi i prindërve, teksa “Angels” do ta ketë pikën edhe në Prishtinë për shkak të qasjes më të lehtë të balerinëve të rinj.

“Shumica e kurseve tona do të jetë e përbërë nga baleti klasik, neoklasik, modern dance dhe shumë të tjera”, sqaron balerini Vuniqi.

Mirëpo, studio e baletit “Angels” nuk do të kufizohet vetëm me balet.

“Në studio do të ketë edhe profesor të fushave të tjera si joga, pilatesi, zumba, salsa dhe shumë aktivitete të tjera. Besoj që do të kemi edhe disa profesionistë për hip hop”, shprehet Sead Veniqi.

Në anën tjetër, Veniqi tregon edhe për periudhën kohore që do të mbulohen aktivitetet artistike.

“Ne kemi planifikuar 2 herë në javë nga një orë për grupmoshat e vogla. Ndërkaq për grupmoshat e mëdha besoj që do të vazhdojmë nga 3 herë në javë”, përfundon bashkëthemeluesi i studio “Angels”.

Sipas Vuniqit, mungesa e një shkolle kombëtare të baletit e ka shtyerë atë ta merr iniciativën e themelimit të një studio të tillë, teksa synimet e tij për balerinët e rinj mbesin të larta.

“Ne do të jemi përherë afër fëmijëve dhe do t’i përgatisim profesionalisht për audicione të ndryshime. Një ndër qëllimet tona është edhe ndihma ndaj tyre për pranim në shkolla jashtë Kosovës ose edhe angazhimi i dikurshëm i tyre në trupën e Baletit të Kosovës”, planifikon Sead Vuniqi.

Përtej kësaj, Vuniqi dhe bashkëpunëtorja e tij kanë edhe objektiva tjera të vëna për studio “Angel”.

“Ne mendojmë që në fund të vitit të dalim me një open class, që i mundëson prindërit të shohin arritjet profesionale që do të arrijnë fëmijët gjatë vitit shkollor 2020/2021 në balet. Përveç kësaj ne do ta mbajmë edhe një shfaqje të baletit me fëmijët si dhe koncert të përbashkët me të gjitha lojërat tjera të vallëzimit”, përfundon pjesëtari i Baletit Kombëtar të Kosovës.

Të mërkurën e 10 shkurtit duke filluar nga ora 17:00 do të mbahet hapja solemne e lokacionit të ri të Studios së baletit “Angels”, në katin e dytë të qendrës tregtare “Dardha” në Prishtinë. / KultPlus.com

Të ngjajshme