“Tartufi” i Qëndrim Rijanit, premierë në Teatrin e Gjilanit

13 Dhjetor, 2023 - 3:00 pm

 

Teatri i Gjilanit paralajmëron për më 18 dhe 19 dhjetor premierën e dramës së njohur të Molierit, “Tartufi”. Regjia i është besuar regjisorit të njohur Qëndrim Rijani.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Kushtrim Qerimi, Ernest Zymberi, Aurita Agushi,Tringa Hasani, Gani Rrahmani, Flaka Latifi, Avni Shkodra, Mejreme Berisha, Alban Shahiqi, Florent Salihu. Skenografia i është besuar Bekim Korçës, kostumografia – Yllka Bradës, kompozitor është Trimor Dhomi, ndërsa drejtor artistik i projektit – Erson Zymberi, njofton kdp.mk

“Ky prodhim i ri yni synon të sjellë një perspektivë të freskët dhe bashkëkohore të kësaj drame klasike. Regjia e Qendrim Rijanit do të sjellë një gërshetim të bashkëkohores dhe vlerave klasike, duke e bërë “Tartufin” një eksperiencë teatrale në vete… Shfaqja do të jetë një udhëtim emocionues në një botë të humorit, hipokrizisë dhe konflikteve të përhershme shoqërore”, thonë nga Teatrin e Gjilanit.

“Tartufi” është jo vetëm komedia më e madhe e Molierit (1622-1673), por edhe një nga veprat më të bukura të letërsisë botërore. Përmes kryeprotagonistit vjen në shprehje e gjithë psikologjia komplekse e një hipokriti të devotshëm. Shkencëtarët kanë zbuluar se në shoqërinë e asaj kohe kishte më shumë origjinale, një mostër e të cilave mund të ishte edhe “Tartufi”.

Sot nuk është aq e rëndësishme se cili person ka qenë prototipi i Tartufit, sa fakti se Tartufi është pasqyrë e një dukurie shoqërore që atëbotë kishte hedhur rrënjë të thellë.

“’Tartufi’ është një nga komeditë më të famshme të Molierit, e cila shkaktoi reagime të bujshme që kur u vu në skenë për herë të parë më 1664, ndaj edhe u ndalua dy herë: Duke tallur hipokrizinë, pandershmërinë, gënjeshtrën, mashtrimin dhe grabitjen, Molieri ironizon të gjitha veset që me këmbëngulje  vazhdojnë deri në ditët tona. Në kohën kur po bombardohemi me gënjeshtra nga të gjitha anët, kur mashtruesit janë aq në modë, saqë ata që nuk janë, duken si budallenj të paaftë, takimi me “Tartufin” e Molierit është një përgjigje e vërtetë teatrore ndaj kaosit të përgjithshëm dhe humbjes së sistemit të vlerave, vlerëson kritika bashkëkohore.

Të presim e të shohim zbërthimin që ia ka bërë veprës regjisori Qëndrim Rijani i cili deri tash është mirëpritur në skenat teatrore në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe në Kosovë. / KultPlus.com

Të ngjajshme