14 Dhjetor, 2017 - 12:20 pm
Shfaqja të harruarit me koncept dhe regji të Shkurtë Aliu, erdhi mbrëmë premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Gili Hoxhaj
Dy fytyra të reja prekin një realitet të vjetër të këtij vendi. Janë Edlir Gashi dhe Qëndresa Kajtazi, aktorët që shumë fuqishëm e sollën shfaqjen në skenën e vogël të Teatrit.
Fytyrat e tyre janë të padukshme në fillim të shfaqjes, derisa zhvishen nga maska pas të cilës fshihen. Të vendosur brenda një burgu të madh, i cili i ndan nga njëri-tjetri, ata shpesh në dialog me vetën, e herë duke parë në sy publikun, nxjerrin mllefin në pikat më të forta të një vendi të mbuluar nga padrejtësitë. Jo shumë larg aktorëve, në piano loja e Alzan Gashit vetëm se i shtonte dramaticitetin, e fuqinë artistike kësaj shfaqje.
Regjisorja Aliu, gjatë formulimit të tekstit të kësaj shfaqj është inspiruar edhe nga vargjet e psikologes dhe poetes Ardiana Prishtina. Vargjet e fuqishme të saj, dukej sikur rëndonin në peshë në çdo interpretim të aktorëve.
“Mirë, hajde po e harrojmë. Luftën. Nëse nuk jeni të sigurt, nëse e keni harru apo jo, zyra e bashkimit evropian për harmonizimet përrallave me do përralla shtesë jep udhëzime falas”, ishte një nga fjalitë goditëse të aktorit gjatë shfaqjes.
Regjisorja po ashtu nuk kishte lenë anash as edhe vargjet e Mitrush Kutelit. Ajo thotë që në këtë shfaqje nuk kishte mundur ta anashkaloj çështjen e migrimit, aty ku qëndrojnë dhe shumica e mendimeve te të rinjve. Ajo tha për KultPlus se kjo shfaqje është e punuar edhe mbi dëshpërimin e përvojave të saj personale.
“Duke u nisur nga titulli “Të harruarit”, tregon për njerëz të lenë pas dore. Unë jam qytetare e këtij vendi dhe në shumicën e vendeve ku kërkon të të kryhet një shërbim, ndihesh si e harruar apo siç thotë populli “Me t’harru Zoti”. Në shfaqje kam gërshetuar disa çështje të cilave nuk kam mundur t’iu shmangem, çështjen e migrimit ku të rinjtë gjatë tërë kohës mendojnë se si të dalin jashtë shtetit, në mesin e tyre jam edhe unë. Tetëmbëdhjetë vite pas luftës, të cilat unë i kam përjetuar në moshë madhore, unë kam pritur çdo vit që do të bëhet më mirë, mirëpo çdo vit e më shumë po shkon vetëm përmbrapa”, tregoi regjisorja Shkurta Aliu.
Ajo poashtu e sjellë dhe një personazh, i cili sfidohet për tetëmbëdhjete vite në një izolim, me një dinjitet të shkelur, e me një kujtesë e cila e kufizon çdo hap të saj. Ajo ofron fytyrën pranë publikut, e psherëtin “Më kanë dhunuar”. Fytyrat e dhunuesve të saj kanë zënë vend brenda kokës, e urrejtja e saj prek ata, e këta që shkelin mbi përjetimet e saj. Fakti që ajo është e izoluar dhe e lenë në harresën e shoqërisë, rezulton me një përzierje fjalësh për të gjetur termin e duhur për t’iu drejtuar asaj.
Vet regjisorja thotë se ishte ndjerë shumë e prekur nga kjo temë të cilën edhe e kishte elaburuar me anë të shfaqjes.
“Problemi i gruas së dhunuar gjatë luftës ka qenë një përqeshje ndaj pensionit që ua kanë ndarë tash mirëpo procesi i punës deri tek kjo ka qenë shumë i dhimbshëm dhe ka qenë shumë fyese ndaj tyre. Kjo temë që në momentin kur e kam dëgjuar më ka prekur andaj edhe kam dashur ta elaburoj në mënyrën time, me anë të skenografisë ku aktorët i kam vendosur të izoluar. Gratë e dhunuara zakonisht qëndrojnë të izoluara nga shoqëria dhe rrallë ndodhë që ndonjërën e ka pranuar familja dhe e ka përkrahur. Por shpresoj që publiku e ka marr atë çfarë unë kam dashur të them për shkak se për këto tema nuk është kurrë mjaftueshëm, pasi që populli i Kosovës, i ka përjetuar këto tema shumë gjatë, sidomos çështja e migrimit, nuk është vetëm tetëmbëdhjete vite pas lufte por edhe para lufte por janë peripecitë e njëjta mirëpo sot është edhe më e vështirë për shkak se atëherë jemi ndodhur në një periudhë të okupimit”, shpjegoi regjisorja Aliu.
Ideja kryesore e saj kishte qenë ta paraqes një shtet ku mendon se jeni i lirë por jeni i izoluar dhe në anën tjetër izolimi i kësaj shfaqje mund t’i personifikoj njërin nga personazhet në një paraburgim në kufijtë e Hungarisë.
Edlir Gashi, njëri nga personazhet kryesore tha për KultPlus se ndërtimi i këtij roli ka ardhur në mënyrë graduale në mënyrë që përmes fjalëve të tyre t’u jap trajtë edhe emocioneve të publikut.
“Besoj se secili qytet i Kosovës e ka ndonjë anëtarë të familjes që ka emigruar jashtë kështu që e kanë të gjithë atë dhimbje në familje, unë e kam personalisht për shkak se vëllai dhe të afërmit e mi janë jashtë shtetit. E kam ndjerë këtë realitet edhe më shumë përmes rolit por shpresoj që mos ta përjetoj për shkak se izolimi është shumë i rëndë sidomos në një shtet të huaj. Do të ishte mirë që këtë shfaqje ta shihnin qeveritarët në mënyrë që mos t’i lejojnë njerëzit që të dalin jashtë por që të qëndrojnë dhe të punojnë në vendin e tyre”, pohoi Gashi, duke vazhduar të thotë se për këtë personazh i është dashur të hulumtoj dhe të punoj shumë gjatë që mos të dalin patetik, të mos jenë të vrazhdë, irritues për shkak se sipas tij, është skena e vogël dhe qëllimi është që publikun ta prekin me fjalë.
Të gjithë ata që duan të shohin këtë shfaqje me tekst dhe interpretim të shkëlqyer, reprizat e para do të shfaqen më 14 dhe 15 Dhjetor të këtij muaji./ KultPlus.com