27 Prill, 2019 - 1:45 pm
Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, më 29 prill duke filluar nga ora 12:00 do të shënohen 50-të vite nga kalimi në amshim i aktores së njohur shqiptare Katarina Josipi-Kati, shkruan KultPlus.
Në këtë ditë kushtuar Katit, kori i grave “Nexhmije Pagarusha” nga Prishtina do të interpretojnë një këngë të Nexhmijes, e cila karrierën e kishte filluar me Katarinën si aktore, kurse aktorët që kanë interpretuar me Katarina Josipin, e të cilët ende janë në jetë, Leze Qena, Adem Mikullovci, Dibran Tahiri, Selman Lokaj, Safete Rogova, Igballe Qena e Ajshe Ramadani do të evokojnë kujtime për Katin.
Në kuadër të këtij evenimenti kulturor bëhet edhe promovimi i monografisë së Frrok Kristajt “Kati – ikona e teatrit shqiptar”, që u botua vitin e kaluar, kurse sivjet Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptar këtë vepër e shpalli monograf më të suksesshme të vitit. Për këtë monografi do të flet shkrimtari dhe kritiku tashmë i mirënjohur Pren Buzhala.
Më pastaj organizatori do të laureojë me nga një plaketë aktorët që kanë interpretuar me Katin si dhe organizatorët e këtij evenimenti kulturor. Në fund, anëtarët e Ansamblit etno-kulturor “Katarina Josipi” nga Zymi do të prezantohen me një program të shkurtër kulturo-artistik ”. Ndërsa ditën e martë, më 30 prill, në orën 10, në Zym të Hasit, atje nga vinte Katarina Josipi, por edhe atje ku u varros, do të vendosen lule të freskëta mbi varrin e Katarina Josipit.
Këtë event kulturor e organizon Unioni i Letrarëve të Kryeqytetit të Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës.
Katarina Josipi jetoi gjithsej 46 vjet, prej të cilave 21 i kaloi në dërrasat e skenës së Teatrit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com