11 Nëntor, 2019 - 7:23 pm
Të mërkurën në Prizren në teatrin “Bekim Fehmiu” do të jepet premiera e shfaqjes “Mjeku i mirë”.
Sipas një njoftimi për media nga teatri, “Mjeku i Mirë” (“The Good Doctor”) është një komedi, e shkruar nga dramaturgu dhe shkrimtari Neil Simon.
Bëhet e ditur se kjo komedi është një përmbledhje e tregimeve të shkurtra, bazuar mbi veprat e njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj botëror, Anton Çehovit, të përmbledhura në një personazh-shkrimtar, i cili komenton mbi to, duke u bërë kështu lidhja dramaturgjike ndërmjet tyre.
“Personazhi kryesor, një shkrimtar pa emër (sipas të gjitha gjasave, vetë Çehovi) vuan nga ajo që quhet bllokadë e shkrimtarit (writer’s block), dhe nga temperamenti i tij artistik ai ia rrëfen publikut disa nga tregimet e tij. Papritmas, në skenë ngjallen personazhet e tregimeve të tij, pjesë e të cilëve nganjëherë bëhet edhe vetë shkrimtari”, thuhet në njoftim.
Të gjitha ngjarjet ndodhin në Rusinë e kohës së Çehovit, duke i dhënë kështu shfaqjes një atmosferë, aromë, dhe unitet stilistik Çehovian. Po ashtu, temat dhe idetë e tregimeve janë gjithë njerëzore e universale. Ato flasin për vogëlsitë, të metat, veset, huqet e teket e qenies njerëzore qysh prej asaj kohe. Këto tema gjithashtu të bëjnë të mendosh rreth faktit që sado që krijohet përshtypja se njeriu po avancon drejt zhvillimit të teknologjisë, njerëzimi ka ndryshuar fare pak ndër shekuj.
“Përulja dhe servilizimi ndaj pushtetit është njëra nga temat e dhjetë tregimeve, por që në mënyrë komike dhe tepër kreative duket që na ndjekë nga e kaluara e Çehovit për ta përqeshur vogëlsinë e njeriut servil të kohës sonë, të cilin mund ta takosh ngado nëpër korridoret e ministrive”, thuhet tutje në njoftimin e dërguar. / KultPlus.com