29 Nëntor, 2018 - 10:14 pm
Në vitin 1974, performuesi dhe dramaturgu Dario Fo dha premierën e shfaqjes së tij absurde dhe politike, S’do të paguajmë! S’do të paguajmë! Disa muaj më vonë, disa gra italiane u arrestuan për vjedhje të ushqimit prej supermarketeve.
Prokurori i rastit e ndërlidhi edhe Fo-në në gjykim si rrjedhojë e faktit që shfaqja e tij kishte një situatë të ngjashme që kishin qenë si inspirim. Fatmirësisht gjykatësi e liroi Fo-në prej përgjgjësisë nga krimi. Edhepse shfaqja ishte pothuaj dokumentareske, ajo ishte e mbushur me satirë dhe humor të hollë.
Me regjisorja Hana Qena flet rreth shfaqjes, tematikës dhe problematikave krejtësisht aktuale që trajton komedia “S’mund të paguajmë! S’do të paguajmë”, dhe inskenimit të saj në Teatrin e qytetit të Gjakovës.
“Komedia është e bazuar në ngjarje të vërtetë, ka ndodhur në Milano kur janë rritur çmimet, çka autori e ka përjetuar vetë, e pastaj e ka përpunuar në mënyrë komike historinë. Janë shtatë personazhe të cilat i luajnë shtatë aktorë nga Teatri i Gjakovës, të cilët kanë qenë shumë entuziastë dhe të gatshëm për të punuar” tregon Hana për përzgjedhjen e saj.
Aktorët që luajnë në këtë shfaqje janë : Myrvete Kurtishi, Ylber Mehmeti, Vlora Dervishi, Edmond Uka, Edmond Hafizademi, Valon Pallaska dhe Muradije Muriqi.
Në rolin kryesor është Myrvete Kurtishi, ndërsa Edmond Hafizademi luan dy karaktere, është e përcaktuar prej vetë autorit, është roli i rreshterit dhe të inspektorit.
“Komedia që po e inskenojmë, quhet “S’mund të paguajmë!S’do të paguajmë” trajton problematikën e klasës punëtore, në kohën kur rriten çmimet, punëtorët largohen prej punës dhe bëhet një kaos, pak a shumë i ngjashëm me atë në Kosovë, dhe amviset vendosin të mos paguajnë asgjë më shumë se sa kanë paguar më heret, në fakt ato shkojnë edhe më larg, vendosin të mos paguajnë asgjë, por t’i vjedhin produktet që iu duhen. Gjatë shfaqjes kuptohet që personazhet janë të uritur, por jo të uritur për bukë, po për dinjitet dhe respekt në shoqëri” thotë Hana Qena. / KultPlus.com