20 Mars, 2024 - 11:22 am
Artistët e rinj të gjimnazeve “Jordan Misja” dhe “Shejnaze Juka” u shpallën fitues të edicionit të 5-të të Festivalit të Teatrit për të Rinj, që u zhvillua për 8 netë me radhë në skenën e teatrit “Migjeni”, Shkodër.
Ky festival u organizua me mbështetjen e bashkisë së Shkodrës.
Kryetari i bashkisë Benet Beci tha se “ky festival iu dedikua të rinjve të shkollave të mesme të Shkodrës. 112 të rinj u ngjitën në skenë duke performuar me cilësi dhe duke i dhuruar shumë emocione publikut shkodran që i mbështeti duke i duartrokitur çdo natë”.
Juria me anëtarë Zija Vukaj, Krist Lleshi, Arian Çuliqi, Drande Xhaj dhe Akil Farfi dhanë dy çmime të para për gjimnazin “Jordan Misja” dhe atë “Shejnaze Juka”.
Ky festival nisi nga një ide e drejtoreshës së teatrit “Migjeni”, Rita Gjeka, e cila tashmë është futur në rrugën e traditës.
Nga këto festivale kanë dalë mjaft talente, të cilët nga Festivali i Teatrit të të Rinjve, kanë vijuar në skena të tjera të rëndësishme./ atsh / KultPlus.com