29 Nëntor, 2019 - 4:11 pm
Bujar Meholli
Në skenën e Teatrit “Oda”, grupi i të rinjve anëtarë të klubit “Bonu burrë” dhanë shfaqjen me qëllim parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek si dhe promovimin e barazisë gjinore.
Fillimisht para të pranishmëve foli Njomza Berisha, zyrtare për komunikim në organizatën SIT që merret me parandalimin e dukurive negative dhe promovimin e jetës së shëndetshme, pa dhunë.
“Ky aktivitet është në kuadër të aktivizimit për parandalimin e dhunës në bazë gjinore dhe mbështetet nga Agjencioni Austriak për bashkëpunim si dhe ky projekt mbështetet nga Komuna e Prishtinës”, tha ajo.
Tutje foli Besnik Leka, koordinator nga CARE International i cili e prezantoi gjithë aktivitetin. Ai tha se i gjithë ky aktivitet i dedikohet ekskluzivisht të rinjve, dhe qëllimi kryesor është ngritja e vetëdijës së tyre.
“Jemi munduar sado pak që këtë dokumentar të shkurtër t’ia kushtojmë të rinjve që ata të jenë më të vetëdijshëm para se të lidhen me dikën”.
“Video paraqet një storie dhe pas saj janë disa reagime të të rinjve, i kemi marrë mendimet e tyre rreth pëlqimit dhe aprovimit”, potencoi ai.
Para shfaqjes u lëshua dokumentari, në të cilin u prezantua një ngjarje ku një djalosh i ri tërhiqet nga një vajzë të cilën dëshiron ta puthë, por kjo e fundit e refuzon pasi që paraprakisht s’kishin pasur komunikim mes tyre.
Subjekti i këtij dokumentari hapi debatin në sallë, u diskutua nëse është i nevojshëm komunikimi mes të rinjve në raste tërheqjeje apo para lidhjes romantike.
Shfaqja që u dha para audiencës kishte po të njëjtën tematikë sikurse edhe dokumentari, grupi i të rinjve aktruan një ngjarje në shkollë të mesme, periudhë ku fillojnë të ndihen simpatitë, dashuriçkat e flirtet e ndryshme.
E gjithë shfaqja u përshkua me debat pas secilës pjesë të luajtur në skenë, audienca e përbërë nga të rinjtë diskutuan për këto çështje mjaft delikate për secilin adoleshent.
Ndryshimet shoqërore ndër vite i kanë sjellë të rinjtë, forca e të cilëve del përballë secilës sfidë. Fatkeqësisht, dhuna në kohët tona është shtrirë në masë të madhe ndërsa barazia gjinore ende nuk është vënë në shoqërinë shqiptare, ku e ku ende patriarkale.
Ky edhe është qëllimi i këtyre të rinjve, të cilët përpiqen që përmes artit, përmes shfaqjeve të ndikojnë në komunitet, në promovimin e tolerancës dhe në zhdukjen e plotë të dhunës së çfarëdo forme. /KultPlus.com