‘Të turpëruarit’, shfaqja dramë-komedi e Altin Bashës që sjellë në ‘tryezë’ diskutime mbi religjionet dhe vlerat e tyre

18 Mars, 2025 - 8:05 pm

Vjollca Duraku

Shfaqja “Të turpëruarit” e Ayad Akhtar, fituese e çmimit Pulitzer 2013, mbrëmë u dha premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës me regji të Altin Bashës, përmes aktorëve: Adrian Morina, Blerta Syla Surroi, Kushtrim Sheremeti, Aurita Agushi dhe Endrit Ahmetaj. Islamofobia dhe vetë-identiteti i qytetarëve myslimano-amerikanë ishin temat që në dukje të thjeshta janë trajtuar në mënyrë filozofike mjeshtërisht në shfaqjen dramë-komedi, pjesa kryesore e së cilës zhvillohet në një bashkëbisedim mes katër personazhesh rreth tryezës.

Amir Kapoor (Adrian Morina), një avokat myslimano-amerikan me karrierë të sukseshme në Nju Jork dhe gruaja e tij, Emily (Blerta Syla Surroi), një artiste e re, e cila përmes pikturave të saj trajton traditën artistike islame organizojnë një darkë në apartamentin e tyre për Jory-n (Aurita Agushi), një kolege e Amirit dhe bashkëshortin e saj hebre, Isaac (Kushtrim Sheremeti), i cili është kurator i artit të Emily.

Një bisedë e cila nis me artin dhe kulturën shëndrrohet në një diskutim të ‘nxehtë’ për fenë, identitetin dhe paragjykimet. Gjatë bisedës shpërfaqet identiteti i fshehur mysliman i Amir, si shkak i tendencave për tu integruar në shoqërinë amerikane, pas paragjykimeve për muslimanët sidomos pas sulmit të Kullave Binjake, më 11 shtator 2000.

Gjatë bisedës diskutohet për traditën islame dhe judaike, Kuranin dhe Talmudin, profilizimin racor dhe 11 shtatorin. Amir është një musliman, i cili e mohon veten për të tillë, dhe përmes një doze cinizmi flet mbi Kuranin dhe për mënyrën se si besohet që ai iu soll njerëzimit. Tërhiqet një paralele edhe me kulturën dhe besimin e hebrenjëve, ku Amir e pranon se ndjen armiqësi të fshehtë ndaj Izraelit dhe se është ndier ‘krenar’ për sulmin e 11 shtatorit.

Pas tensioneve gjatë bisedës, Amiri dhe Jory dalin për të blerë një shishe shampanjë, në skenë mbesin piktorja Emily dhe kuratori i saj Isaku, të cilët në bisedë e sipër tregojnë për një marrëdhënie të tyre të msheftë që e kishin pasur gjatë një ekspozite. Kthimi i Jory-t dhe Amirit koincidon me një skenë të sikletshme ku Emily puthet nga Isak.

Në një situatë të tendosur Jori tregon se së fundmi është bërë ortake në zyrën ligjore të Amirit, për shkak të pjesëmarrjes në gjyqin e imamit. Pas disa të bërtiturave dhe sharjeve në drejtim të Jorit, ajo largohet nga skena së bashku me bashkëshortin e saj, i cili sapo e kishte tradhëtuar. Në shenjë hakmarrjeje për tradhëtinë Amiri përdorë dhunë fizike mbi bashkëshorten.

Darkës i kishte paraprirë një skenë ku Abe- nipi i Amirit (Endrit Ahmetaj) paraqet dyshime mbi arrestimin e një imami, kinse për përfshirje dhe mbështetje të grupeve të terrorizmit, gjë e cila ekishte vënë në pikëpyetje reputacionin e Amirit.

Skena e parafundit pasohet nga  Abe i cili e njofton xhaxhain e tij se është marrë në pyetje nga autoritetet për shkak të një shoku të tij, i cili kishte pasur prirje xhihadiste. Abe thotë se Amerika dhe Perëndimi e kanë “turpëruar” myslimanizmin dhe se shumë shpejt gjithçka do të kthehet mrapsht, duke dalë nga skena me furi. Në skenën e fundit Amiri tenton ta bind Emily-n për tu pajtuar, por ajo refuzon duke e lënë Amirin të vetëm, në vaj duke e shikuar portretin e tij të realizuar nga ajo.

Pas shfaqjes, në një prononcim për media regjisori Altin Basha ka thënë se “Të turpëruarit” ka një tekst shumë të veçantë që përmes multi- karaktereve trajton një diskutim historik mbi temat religjioze.

“Sigurisht, ky është një tekst shumë i veçantë. Përveç vlerave të jashtëzakonshme që ka në kuptimin e karaktereve të dialogut, të fjalorit të pasur, të temave që trajton, prek edhe një lloj diskursi të vazhdueshëm që është në shoqëritë perëndimore mbi religjionin, islamin, mbi vlerat e tij, mbi dyshimet që janë mbi të, mbi ndikimin që ai mund të ketë në shoqëri. Është një diskutim historik që nuk bëhet vetëm për islamin por edhe për fetë e tjera, e që normalisht në teatër nuk është trajtuar edhe aq shpesh. Teatri duke pasur detyrën e vet, që të provokojë, që të nxisi diskutim në mënyrë që ta ndihmojë shoqërinë të jetë e shëndetshme, me reflektimin mbi vetveten e ka për detyrë t’i trajtojë edhe këto tema”, ka thënë regjisori Basha.

Regjisori më tej ka thënë se shoqëria jonë është e vonuar për të hapur tema dhe diskutime filozofike mbi rëndësinë e relgjioneve dhe vlerave të tyre, pasi sipas tij asgjë e keqe nuk i vjen shoqërisë nga refleksione të kësaj natyre, por përkundrazi ato janë të shëndetshme për të.

“Pata kënaqësinë që të punoj me një grup aktorësh të cilët kanë punuar me shumë pasion dhe kanë realizuar role fantastike. Me aktorët njihem prej shumë kohësh, prej kohës kur Adriani dhe Kushtrimi kanë qenë studentë, por më parë nuk kemi pasur rastin të bëjmë një gjë kaq përmbajtjesore. Ishte vërtetë një kohë e bukur, e kaluar së bashku në një nivel artistik por edhe në nivel personal, sigurisht edhe me prezencën e Blertës e të Auritës, dhe të Endritit që është një aktor i ri nga Shqipëria, i cili në fakt e ka fituar rolin me audicion, por ka qenë surpriza më e bukur e shfaqjes, mendoj në kuptimin e tregut, sepse këta janë aktorë të konfirmuar dhe paraqesin para publikut edhe një aktor të ri i cili tregon se stafeta është e sigurt për të ardhmen”, ka thënë regjisori Basha.

Ndërsa, aktori Adrian Morina ka thënë se shfaqja “Të turpëruarit” ka një tekst të shkëlqyer, dhe se ndihet shumë i lumtur që kanë arritur të realizojnë dhe ta sjellin edhe para publikut të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Tekst është i shkëlqyeshëm, i jashtëzakonshëm. Kam dëgjuar dhe lexuar edhe më herët mbi këtë shfaqje pikërisht me idenë se provokon. Është një tekst shumë i fuqishëm, një tekst që ecën në teh të thikës. Në një moment paraqet një tekst i cili është kundër islamit ose vlerave të lindjes dhe pastaj në faqen tjetër të leximit paraqet një tekst shumë islamofobik. Ndeshja e dy civilizimeve, perëndimit dhe lindjes vjen në mënyrë mjeshtërore prej autorit, e aq më shumë duke e ditur kontekstin kohor në të cilin ne jetojmë, aq më tepër në vendin ku jetojmë, ku debatet e tilla janë në secilën tavolinë tonën, fatkeqësisht edhe të dehur, njejtë sikurse edhe këtu”, ka thënë aktori Morina.

Aktori Morina më tej ka thënë se një tekst i tillë, sipas tij me vlera të larta e pasuron skenën teatrale vendore dhe jovetëm.

“Po ashtu ngjall edhe debat, jo vetëm te ne, por edhe në Shqipëri e Maqedoni me një tekst i cili flet për identitetin në pjesën e parë, për atë që njerëzit e fshehin nganjëherë për t’u dukur më perëndimor ose për të fshehur prejardhjen e tyre, shpeshherë edhe të kushtëzuar prej rrethanave të ndryshme. Kemi shumë shqiptarë të Shqipërisë të cilët kanë ndërruar identitet në Greqi për shkak të mbijetesës. Kemi edhe shqiptarë nga Kosova që kur punojnë në bizneset e tyre jashtë vendit mohojnë identitetin shqiptar, gjithmonë duke dashur të reprezentojnë vlerën e një civilizimi tjetër, të cilit ne nuk i përkasim realisht. Teksti shpërfaq të gjitha anomalitë e shoqërive, besimeve dhe religjioneve si një vlerë fisnikërimi të shpirtit dhe njeriut, por fatkeqësisht në kohërat në të cilat jetojmë shpeshherë paragjykimet janë ato të cilat sjellin konflikte, telashe mes njerëzve e popujve”, ka thënë aktori Morina.

Kurse,  aktorja Aurita Agushi përvojën e realizimit të shfaqjes “Të turpëruarit” e ka cilësuar si të jashtëzakonshme.

“Po ndjehem jashtëzakonisht mirë. Është një tekst që e kemi punuar me shumë dashuri, përkundër faktit që është një tekst shumë kompleks. Çdo njëri mund ta interpretoj ndryshe. Por e rëndësishmja është që ne si ekipë kemi funksionuar shumë mirë së bashku. Shfaqjen e kemi punuar me shumë dashuri dhe kemi dashur që në fund të përçojmë mesazhe mbi reflektimin e njeriut lidhur me paragjykimet që iu bëhen njerëzve në baza të përkatësive etnike, fetare, klasore etj”, ka thënë Agushi.

Premiera e parë e shfaqjes “Të turpëruarit” është dhënë në Tiranë, në Teatrin “Astrit Sulo”. / KultPlus.com 

Të ngjajshme