12 Prill, 2024 - 12:55 pm
Teatri “Aleksandër Moisiu” me mbështetjen e kryetares së bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako dhe Zyrës Vendore Arsimore Durrës, ka ndërmarrë një nismë për krijimin e Klubit Teatror të të Rinjve. Kjo nismë e cila tashmë e ka bërë realitet Klubin Teatror të të Rinjve të Durrësit, ka për qëllim angazhimin e të rinjve në sipërmarrje që kanë lidhje me artin dhe teatrin në veçanti.
“Klubi nuk kishte sesi të kurorëzohej më bukur sesa gjatë shfaqjes teatrore “7 minuta”, shkroi Teatri “Moisiu” në faqen e tij online. Në këtë shfaqje shumë nga të rinjtë e shkollave të mesme të qytetit u takuan me disa nga emrat më të njohur të skenës shqiptare.
Njëkohësisht ata patën mundësi të shohin nga afër ambientet e teatrit “Aleksandër Moisiu”, ku regjisorja Driada Dervishi u dha adoleshentëve të apasionuar pas artit shumë informacione mbi historikun 71-vjeçar të këtij institucioni. / atsh / KultPlus.com