2 Tetor, 2018 - 8:26 pm
Gili Hoxhaj
Që nga fillimi i majit kur regjisor Erson Zymberi ka marrë timonin e drejtorit të Teatrit Profesionist të Gjilanit, ky institucion është kthyer në një adresë të frekuentuar nga një numër dukshëm më i madh i vizitorëve, të cilët tanimë pas një dekade kanë një teatër me reportoar shfaqjesh.
Në gjendje aspak të mirë e kishte gjetur këtë institucion kulturor, Zymberi pasi që Teatri Profesionist i Gjilanit për vite të tëra ishte udhëhequr me ushtrues detyre, ndërsa vitin e kaluar kishte kaluar pa as edhe një premierë. Tanimë me krijimin e repertuarit, qytetarët e Gjilanit kanë mundësinë edhe të njoftohen me shfaqjet që do të prezantohen dhe të përcjellin aktivitetet e rregullta të teatrit.
“Tashmë është shtuar dukshëm numri i vizitorëve dhe krijimi i repertoarit të teatrit ka ndikuar që të identifikohet edhe një publik kryesisht i ri, i cili gjithashtu po ndihmon ne promovimin e Teatrit tonë përmes shpërndarjes së programit tonë, “check-in” “selfie-ve” e storieve te ndryshme përmes postimit te tyre në rrejte sociale”, ka tregur Zymberi për KultPlus.
Zymberi i cili shprehet i lumtur për numrin e të rinjve që po mbushin sallën thotë se në këtë mënyrë ata po arrijnë ta kthejnë në kulturë urbane të shkuarit në teatër. Ai tutje tregoi se numri i vizitorëve është shumëfishuar katërfish dhe vetëm brenda një muaji janë regjistruar rreth 1847 vizitorë.
Po ashtu së fundmi Teatri i Qytetit të Gjilanit dhe Drejtoria Komunale e Arsimit, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi përmes të cilit synohet të krijohen ura dhe lidhje të qëndrueshme të edukimit dhe zhvillimit të shëndoshë të nxënësve me Teatrin si medium dhe mekanizëm i cili ndikon në edukimin direkt të tyre./ KultPlus.com