16 Shkurt, 2022 - 11:20 pm
Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu” Prizren ka shpallur emrat e regjisorëve për sezonin teatror 2022, përcjell KultPlus.
Ana Bateva, Zana Hoxha dhe Dino Mustafiq janë emrat e regjisorëve të përzgjedhur nga Teatri i Prizrenit.
KultPlus ua sjell njoftimin e plotë:
Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu” Prizren, ka kënaqësinë të shpall emrat e regjisorëve për sezonin teatror të vitit 2022.
Përzgjedhja e regjisorëve reflekton ambicjen dhe vizionin e Teatrit “Bekim Fehmiu” duke angazhuar regjisorë të njohur me përvojë të madhe ndërkombëtare, si dhe regjisore në moshë më të re, por të dëshmuara në teatrot dhe festivalet në rajon.
Ana Bateva,
Regjisore teatri, lindur në Shkup, Maqedoni e Veriut, edukuar për regji teatri në Akademinë Kombëtare të Teatrit dhe Filmit në Sofie, Bullgari, si dhe titullin Master në Menaxhmentin e Artit në Akademinë Kombëtare të Arteve të Bukura në Plovdiv, Bullgari.
Shfaqjet e saj janë shfaqur dhe shpërblyer në festivale ndërkombëtare dhe nacionale teatrore në gjithë rajonin e Ballkanit dhe Rusi.
Jeton dhe vepron në Sofie të Bullgarisë, themeluese e SPAM Studios.
Zana Hoxha,
E lindur me 1981, është regjisore profesionale e teatrit, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis.
Regjisore e më shumë se 20 shfaqjeve teatrore të cilat janë prezantuar në teatrot më të mëdha të Kosovës, në regionin e Ballkanit (Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Kroaci).
njëherësh ka prezantuar punën e saj si artiste/aktiviste/trajnere edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
Shfaqja e saj “Zgjimi i pranverës” u shpërblye si shfaqja më e mirë e vitit 2020 në Kosovë nga Ministria e Kulturës e Kosovës, si dhe me çmimin Grand Prix në festivalin ndërkombëtar ITF ScupiFestival 2020.
Dino Mustafiq,
Regjisor i mirënjohur, lindur në Sarajevë, ku edhe diplomoi për Regjinë në Akademinë e Arteve, Sarajevë dhe Letërsinë Komparative në Fakultetin Filozofik në Sarajevë.
Gjatë karierës së tij të pasur ka punuar mbi 100 shfaqje të autorëve klasikë dhe bashkëkohorë në teatrot kryesore të rajonit, por edhe në Paris dhe Bratisllavë dhe shumë prej tyre janë shpërblyer në festivalet ndërkombëtare, rajonale dhe nacionale.
Nga 2003 deri 2005 ishte Drejtor Artistik në Teatrin Kombëtar në Sarajevë. Është profesor në Akademinë e Arteve Skenike, Sarajevë. Udhëhoqi festivalin më të vjetër teatror në rajon, MESS, nga 1997 deri 2016./ KultPlus.com