Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu” së shpejti fillon me transmetimin e shfaqjeve LIVE

6 Prill, 2020 - 9:29 am



Pas situatës së krijuar me pandeminë COVID-19, ku e gjithë bota ka pauzuar, gjatë muajit prill Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu” do të fillojë me transmetimin e shfaqjeve në mënyrë virtuale. Shfaqjet do të transmetohen LIVE përmes platformës Facebook.

“Për vite me radhë, pa hezitim e pa kushte, ju keni ardhur në shtëpinë tonë të shenjtë, Teatrin. Së bashku kemi shijuar shfaqje madhështore, kemi qeshur me komeditë e kemi qarë me tragjeditë. Tani është radha jonë të vijmë në shtëpitë tuaja”.

“Teatri nuk është ndalur kurrë, nuk ndalet sot, e as nuk do të ndalet në të ardhmen, prandaj kjo është më e pakta që mund të bëjmë për ju që keni qenë bashkudhëtarë të rrugëtimit tonë. Si i gjallë që është teatri, do të na mungojnë duartrokitjet tuaja, por të jeni të sigurt se do t’i ndjejmë ato”, thuhet në komunikatën për media.

Shfaqjet të cilat do të transmetohen LIVE gjatë këtij muaji janë: “Shërbëtori i dy zotërinjve”, “Armiku i Popullit”, dhe “Mbledhje në Parlament”.

Për datën dhe orarin e transmetimeve do të njoftoheni me kohë. / KultPlus.com


Të ngjajshme