3 Gusht, 2024 - 12:45 pm
Puna për Teatrin e Ri po ecën me ritme të mira dhe brenda vitit 2025 pritet të mbarojë ndërtimi i karabinasë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga aktorët Alfred Trebicka, Artan Imami, Arben Derhemi, Eni Jani etj, inspektoi punimet për përfundimin e godinës se re dhe njoftoi se paralelisht do të vijojë puna edhe për sigurimin e pajisjeve të nevojshme për funksionimin e teatrit.
“Ky ka qenë një projekt shumë, shumë kompleks, shumë i debatuar, shumë i politizuar, por çdo krizë është edhe një mundësi. Mundësi për ta përmirësuar, mundësi për ta sqaruar më mirë, edhe mundësi për ta verifikuar se projekti po ndodh. Më vjen mirë që nuk ceduam as një cm2 te toka e teatrit; më vjen mirë që nuk ceduam as te propozimi për ta çuar te “Bregu i Lumit”, siç thoshin disa. Ky është një investim për 100 vitet e ardhshme, ndaj mezi pres që brenda vitit tjetër ta kemi mbaruar edhe karabinanë, ndërkohë paralelisht do të fillojmë me lotin e dytë, do hapim garën për pajisjet teknologjike, inxhinierike, audio, video, foni, fasada metalike, fasada xhami; pra, e gjithë pjesa e formës së betonit që është ajo perdja simbolike e kapur e skenës”, sqaroi Veliaj.
Ai u shpreh entuziast për faktin se puna më e madhe për hedhjen e themeleve ka përfunduar.
“Jam shumë entuziast për mënyrën si kemi ecur me të gjitha punimet te Teatri i Ri. Këtu kemi zbritur në katin -1, ku kemi bërë punën më të madhe, por është edhe puna më e komplikuar. Edhe në punët publike, si në teatër, ajo që ndodh në pas skenë është puna më e vështirë. Kjo ishte një zonë, ku nuk kishte themele. Kur hapëm themelet e teatrit të ri zbuluam se kishte tunele nëntokësore, kurse vetë teatri i vjetër nuk kishte asnjë themel. Tuneli nuk ndërpritej askund, por shkonte tej për tej sipërfaqes së teatrit. Çfarë ka ikur, ka ikur. Iku lodhja, histeria, debatet. Tani është koha e punës. Ne jemi të përkushtuar të dalim sa më shpejt në nivelin zero, kurse binaja është shumë herë më e kollajtë”, nënvizoi kryebashkiaku.
Veliaj u ndal edhe te parkingu nëntokësor, për të cilin tha se do të ketë 100 vende parkimi.
“Parkingu nëntokësor do të ketë rreth 100 vende parkimi për stafin dhe artistët, të cilët nuk kanë asnjë arsye pse të kërkojë parkim në ditë të nxehta si sot. Komoditeti se mund të parkosh në vendin e punës, në katin zero, 1 dhe 2, është një lehtësi shumë e madhe. Plus është një mundësi që teatri të fitojë të ardhura. Sot arti subvencionohet, si kudo në botë, por jemi në një situatë ku disa projekte publike duhet të kenë edhe kuptim ekonomik. Sheshi “Skënderbej” e ka larë veten vetëm me lekët e parkingut nëntokë. “Bulevardi i Ri” po paguan kredinë me lekët e parkingut nëntokë. Një faktor ekonomik si parkingu, mund të ndihmojë aktorët dhe institucionet që punojnë këtu; kush ka mundësi, të vijë të paguajë dhe ato të ardhura t’i shkojnë teatrit”, tha ai.
Kryebashkiaku shtoi se pavarësisht politizimit që iu bë ndërtimit godinës së re, teatri nuk ka humbur asnjë cm tokë. Sipas tij, ky teatër është investim për 100 vitet e ardhshme.
“Ju falënderoj shumë për besimin, por edhe për kritikat. Ne nuk jemi lidhur se binim të gjithë dakord, por jemi lidhur fillimisht sepse kishim opinione të ndryshme dhe gjetja e një të mesme të përbashkët, ku praktikisht këmbëngulja e aktorëve për katin -1, që të kishte dhe parkingun, edhe akses nga rruga kryesore, jo vetëm një akses këmbësor, por edhe për makinat, janë gjëra që e përmirësuan projektin. Kur ka një kritikë të shëndoshë, unë besoj se e gjejmë gjuhën. Kur kjo bëhet për inat, për të bllokuar dhe futet në mes edhe politika, pastaj është një humbje spektakolare kohe, siç ishin këto 30 vitet e fundit. Do mundohemi të bëjmë në 30 muaj, atë që humbëm në 30 vite”, theksoi Veliaj. / KultPlus.com