5 Tetor, 2019 - 1:00 pm
Surprizat e edicionit të 13-të të Festivalit “Takimet muzikore të dy botëve”, që këtë vit i kushtohet dialogut të kulturave dhe që ka bashkuar artistë nga Shqipëria, Evropa dhe Azia, duket se nuk kanë fund.
E ndërsa rrugëtimi artistik i këtij festivali për këtë vit po shkon drejt fundit, aktivitetet pritet të jenë spektakolore. Një mbrëmje në Tiranë, ku për herë të parë publiku shqiptar do të mund të shijojë nga afër emocionet e teatrit japonez, unik në botë për nga performanca dhe tradita.
Ndërsa, e ku tjetër veç në Shkodrën e traditave të kulturës, ky festival do të mbyllet nën tingujt e lahutës shqiptare, e cila do të bashkohet në një mbrëmje me muzikën klasike të pianos franceze dhe asaj instumentale tradicionale nga Azia Qendrore.
Qendra Kulturore e Katedrales Orthodokse, të dielën, në ora 19:00 do të presë Teatrin Japonez Noh, i njohur në të gjithë botën dhe që është pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s. Drama Japoneze klasike, Noh, do të vijë për herë të parë për publikun shqiptar, pasi ka prekur shumë skena të botës.
I themeluar rreth 650 vjet më parë Teatri Noh, është skena më e vjetër e artit, e cila vazhdon të luhet deri më sot, pa ndërpreje dhe pa ndryshime thelbësore. Noh vjen për publikun si pjesë e aktiviteteve të Festivalit “Takimet muzikore të dy botëve” që qëllim ka promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe përpiqet t’i ofrojë publikut dhe turizmit në Shqipëri një alternativë argëtuese, edukuese, cilësore.
Këtë vit festivali ka nisur më 17 shtator dhe përfundon në 9 tetor dhe suprizat vazhdojnë. “Festivali ka për synim të prezantojë, të njohë, të edukojë e të kultivojë shijen e muzikantëve tanë, të dashamirësve të artit dhe të muzikës, si dhe kritikë e studiues të ndryshëm me këtë transmetim të muzikës polifonike dhe asaj klasike.
Në vijim të festivalit, krahas polifonisë shqiptare që mbushi me tinguj si kurrë më parë Amfiteatrin e Durrësi, do të vijnë dhe Yamamoto Noh Theather nga Osaka dhe instrumente të vjetër nga Azia qëndrore”, bëri me dije drejtuesja e këtij festivali Ilda Mara.
Teatri do të përforcojë pjesë drame që lidhen sa me traditën e lashtë japoneze, po aq me teknologjinë moderne. Teatri Yamanoto Noh, kombion arkitekturën tradicionale dhe teknologjinë moderne siç është ndriçimi Led dhe titrat shumë gjuhëshe, duke argëtuar dhe edukuar jo vetëm audiencën e gjerë japoneze, por dhe atë ndërkombëtare.
Pas kësaj mbrëmje që ka pritshmëri mjaft të larta festivali do të udhëtojë drejt Shkodrës, më 9 Tetor. Lumturije Nonaj, artistja që vazhdon të mbajë gjallë traditën shqiptare të lahutës, do të interpretojë në Teatrin Migjeni, ndërsa mbrëmjes do të bashkohet dhe pianoja franceze dhe instrumentët tradicional nga Azia Qendrore.
Sipas organizatorëve, ky festival këtë vit ka arritur plotësisht qëllimin e tij, të bashkojë artistë , tradita dhe kultura, ndaj Teatri Noh ju pret në Tiranë, lahuta, piano dhe kobyz në Shkodër./21media/KultPlus.com