21 Shtator, 2020 - 12:01 pm
Teatri Popullor Gjerman, i njohur si Volksbühne, ndodhet në krizë të thellë. Pas telasheve me intendantin belg, dhe pas një rrëmuje çfarë vetëm gjermanët dinë të krijojnë, atje gjithçka është duke shkuar si në mjegull. Prandaj, e kanë ftuar Teatrin Kombëtar të Kosovës që t’u dalë në ndihmë.
Letra e indendantit herr Klaus von Dörr, para se ftesë për bashkëpunim, është një thirrje për ndihmë. “Na ndihmoni, o njerëz të mirë – shkruan në letrën e tij herr von Dörr – se ju keni potencial njerëzor, keni rrëfime të mrekullueshme, keni aktorë që s’gjenden asgjë kundi në Evropë, keni shkrimtarë, muratorë, sportistë… Na ndihmoni të dalim nga kjo krizë, se ju kemi ndihmuar edhe ne në të kaluarën”, thotë ndër të tjera, në letrën e tij, herr Klaus von Dörr.
Më poshtë e gjeni të bashkangjitur edhe faksimilën e letrës së plotë, të cilën në Teatrin Kombëtar të Kosovës e ka sjellur ambasadori gjerman në Kosovë.
“E njoftojmë publikun kosovar, se një kontigjent i aktorëve të TKK-së do të udhëtojë së shpejti drejt Berlinit, ku do të luajë shfaqjen “Kthimi i Karl Majit”, si mbështetje dhe si përpjekje për ta nxjerrë nga kriza atë teatër të zhytur deri në fyt me probleme, që, dorën në zemër, nuk është se i kuptojmë fort mirë. Megjithatë, përvoja jonë në zgjidhjen e konflikteve jemi të sigurtë se do të japë rezultatet edhe atje. Kjo është një mundësi e mirë që kosovarët t’ia kthejnë borxhin Gjermanisë, për bombat e vitit 1999, të hedhura me aq precizitet mbi forcat serbe, dhe është gjithashtu edhe një mirënjohje për angazhimin për paqen e brishtë ballkanike të Angela Merkelit, të cilën, për dijeni të opinionit botëror, edhe ne në Kosovë e thërrasim der Mutter”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com