Teatri Kombëtar kalon në grevë të përgjithshme, Shoqata Sindikale: Nuk do të ketë tërheqje të vendimit deri në plotësim të kërkesave tona

17 Nëntor, 2024 - 2:23 pm

Vjollca Duraku

Pas paralajmërimeve të vazhdueshme për përshkallëzim të grevës Teatri Kombëtar i Kosovës nga sot ka kaluar në grevë të përgjithshme, shkruan KultPlus.

Shoqata Sindikale e Artistëve të TKK, në krye me aktoren Sheqerie Buqaj ka njoftuar se si shenjë rezistence ndaj mospërfilljes së kërkesave të tyre për rritje të koeficientit të pagave ka anuluar çfarëdo lloj aktiviteti artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

“Duke parë se kërkesat tona sindikale nuk janë realizuar pavarësisht, premtimeve, duke mos parë asnjë rezultat të prekshëm nga takimet e mbajtura, ndërmarrjes së masave sindikale dhe paralajmërimit për këtë grevë, madje pas mospërfilljes së vullnetit tonë ku kemi dhënë edhe një afat dyjavor për realizimin e kërkesave tona nga ana e MKRS-së, pas shterjes së të gjitha afateve dhe mundësive, pas mos realizimit të kërkesës sonë edhe përmes ndërmjetësuesit, atëherë ne pa vullnetin tonë, konsiderojmë se mbajtja e një greve të përgjithshme është e vetmja formë që tërheq vëmendjen e punëdhënësit që ai të nisë t’i realizojë kërkesat tona”, ka thënë në një konferencë për media Sheqerie Buqaj.

Në konferencë u tha se vendimi është marrë në formë unanime nga të gjithë pjesëtarët e Shoqatës Sindikale dhe se nuk do të ketë tërheqje nga greva deri në plotësimin e kushteve të kërkuara.

“Jemi të vendosur që greva të mos përfundoj pa u realizuar saktë koeficientet të cilët i kemi dërguar në Ministrinë e Kulturës” është thënë në këtë konferencë për media, e cila në prapavijë ka moton: “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë”.

Ky vendim për grevë të përgjithshme është marrë me pajtueshmërinë e pjesëtarëve: Shpejtim Kastrati, Shëngyl Ismaili, Shkëlzen Veseli, Adrian Morina dhe Maylinda Kosumoviq. Arsyet e mbajtjes së grevës janë: Mos realizimi i kërkesës për përmirësim, ngritjen e koeficienteve, pas degradimit që i është bërë ansamblit rezident me ligjin e pagave.

Kryetarja e Sindikatës ka thënë se pavarësisht mospajtimeve me punëdhënësin, si sindikatë janë të hapur për dialog, qoftë drejtpërdrejtë apo përmes ndërmjetësuesit, dhe se mban shpresa se ky veprim do të çojë në përparim domethënës drejt zgjidhjes së çështjes.

“Si SHSATKK i sigurojmë të gjithë punëtorët e sindikatës sonë se do t’i informojmë për aktivitetin e grevës dhe ata do të pajisen me udhëzime të qarta për pjesëmarrjen e tyre. Këshilli Grevist do të koordinoj dhe adresoj çdo shqetësim që mund të lindë gjatë periudhës së grevës. Si KG do të demonstrojmë unitetin dhe vendosmërinë tonë në avokimin për trajtim të drejtë dhe përmirësim të kërkesave tona”.

Më tej, pjesëtari tjetër i sindikatës Adrian Morina ka thënë se pezullimi i tërësishëm i aktiviteteve në TKK fatkeqësisht ka qenë forma e fundit dhe e vetme për tu marrë parasysh të drejtat e ansamblit në përbërje prej 22 aktorëve.

“Kjo ka qenë forma jonë e vetme. Nuk do të kemi patur dëshirë asnjëherë që të jemi sot këtu ku jemi ulur. Ne nuk jemi mësuar asnjëherë, gati as në ulëset e publikut nuk kemi rast të qëndrojmë shpesh. Po uroj që kjo është hera e fundit edhe pse si skenarë po përsëriten vazhdimisht prej politikës. Uroj që kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejtë. Besoj që i kemi përfillur të gjitha hapat sindikal deri këtu, madje edhe më shumë se sa që duhet, me idenë që po punohet dhe të provojmë ta gjejmë zgjidhjen. Jemi të hapur të diskutojmë me secilin për sqarime të mëtutjeshme. Por, ashtu siç e kemi cekur në vendim jemi jashtëzakonisht të vendosur për realizimin e të drejtave tona, dhe të shpresojmë që gjithçka ka me u kry shpejtë edhe mirë” ka thënë Morina.

Kur është miratuar Ligji për Paga, TKK ka qenë i vetmi  institucion që ka pësuar degradim, pasi të gjithë aktorët e teatrove të qyteteve të tjera kanë gëzuar të drejtën e tyre për punën të cilën e bëjnë. Këtu sipas sindikalistëve është përjashtuar TKK, për të cilën gjë fillimisht kanë besuar se nuk ka qenë e qëllimshme. Të paktë kështu edhe është konfirmuar nga MKRS, duke thënë se gjatë rrugës janë bërë edhe gabime, e të cilat do të adresohen shumë shpejtë. Gjë e cila faktikisht nuk ka ndodhur kurrë.

Më vonë Sindikata ka bërë një kërkesë në MKRS meqenëse ligji i pagave do të rishqyrtohej, me idenë që edhe kërkesa e tyre do të adresohej. MKRS e ka konfirmuar një takim, por në fakt as ky takim nuk ka ndodhur asnjëherë pavarësisht kërkesave të tyre të vazhdueshme.

Pas një periudhe 19 mujore, më datën 9 shtator Sindikata përmes një njoftimi i kishte bërë të qarta të gjitha veprimet të cilat do të ndërmerreshin.

“Madje janë më të stërzgjatura se sa i lejon ligji për sindikata. Disa herë na është thënë çka janë këto masa që po shtyni për 10 minuta provat, duken si jo serioze. Mirëpo ne kemi pasur dëshirë që t’i japim sa më shumë kohë MKRS, që t’i adresojë problemet tona. I kemi përfillur ato të gjitha. Nganjëherë ndoshta prej vullnetit të madh që t’i japim edhe kohë MKRS, i kemi bërë disa lëshime të vogla gjithmonë duke besuar që çështja jonë do të rregullohet shumë shpejtë nuk ka ndodhur ashtu”, ka thënë Adrian Morina.

Para hyrjes në grevë, për të tejkaluar këtë proces jo të dëshirueshëm Sindikata thotë se i ka dhënë kohë Ministrisë edhe dy javë të tjera duke angazhuar edhe ndërmjetës për të nënshkruar nëse MKRS do të pranonte negociata me sindikatën, dhe të jepte një datë të saktë se kur mund të ndodhte takimi.

“Më 1 Nëntor ne e kemi dhënë edhe një afat dy javor shtesë qoftë me bisedime te drejtpërdrejta qoftë me ndërmjetësues që të arrihet të nënshkruhet, sepse ndërmjetësi duhet ta njoftojë MKRS, përkatësisht Ministrin, për procedurat çka nënkupton kur pranon të nënshkruash një dokument. Në ditën e fundit të afatit kalimtar përmes ndërmjetësuesit kemi marrë një letër e cila na ka irrituar pa masë, për shkak se aty flitet për sukseset e jashtëzakonshme që janë bërë gjatë kësaj qeverisjeje nga ana e ministrit të kulturës, dhe duket gati-gati ofenduese. Ku gjendet hapësirë të flitet për gjithçka tjetër, vetëm jo për çështjen për të cilën adresohet”, është thënë në konferencë.

Lidhur me diskutimet se nëse kjo grevë ka të bëjë me ndalimin e Festivalit “Moisiu” apo me zgjedhjet e ardhshme, aktori Shkelzen Veseli ka thënë se kjo çështje ka të bëj vetëm me plotësimin e kërkesave të tyre dhe me asgjë tjetër.

“Jo nuk do të lidhet aspak me këtë. Diskutimet dhe kërkesat kanë filluar qysh para dy apo më shumë vitesh. Nuk ka asnjë ndërlidhje as me festivalin e as me premierën. Ne na vjen keq që kjo narrativë po përdoret sikur ne jemi kundër festivalit, ose kundër vetë produkteve tona. Nuk është e vërtetë. Nuk mundet askush tjetër me i dashtë festivalin edhe shfaqjet që i prodhon Teatri Kombëtar më shumë se ne aktorët. Sepse menaxhmenti vjen dhe shkon, kurse festivali ka për të mbetur i yni. Është paradoksale për ne me mendu që jemi kundër festivalit apo shfaqjeve në të cilat luajmë ne vetë”, është shprehur Veseli.

Këtë gjë e ka potencuar edhe aktorja Shëngyl Ismaili, duke thënë që kjo grevë ka të bëjë vetëm me plotësimin e kërkesave si ansambël i teatrit.

“S’ka të bëj me festival, nuk ka të bëj me asgjë. Ka të bëj me të drejtën tonë të cilën jemi duke e kërkuar shumë moti dhe e cila ende nuk është realizuar. Absolutisht është idiotike të mendohet se kjo është bërë kundër festivalit ose premierës në të cilën edhe unë kam pasur me qenë edhe jam pjesë e shfaqjes. Unë Sheqeria edhe Shpëtimi. Është idiotike me përdorë këtë si fakt të kryengritjes tonë sepse nuk ka të bëjë me festival, as me premierën tonë që kemi pasur ta prezantojmë, që sigurisht kur të realizohen kërkesat tona ajo premierë ka për tu mbajtur. Ka të bëj me të drejtat tona të cilat jemi duke i kërkuar ndër vite”, është shprehur Shëngyl Ismaili.

Ndërkaq, Sheqerie Buqaj ka shprehur pikëllim të thellë për pezullimin e punës në teatër, e cila pas pak ditësh do të paraqitej me një rol premierë në TKK.

“Besoj e shihni ne jemi të pikëlluar. Unë personalisht jam tmerrësisht e pikëlluar sepse e kemi ndalur një punë që edhe tri ditë, e kam ndalur një personazh brenda meje që është duke lindur. Shëngyli edhe Shpetimi janë po ashtu pjesë e shfaqjes. Është pikëllim, nuk është ndjenjë që gëzueshme. Ju e dini sakt se greva është mjeti i fundit që vjen, me gjithë hapat që i kemi ndërmarrë paralelisht. Unë po besoj dhe po shpresoj shumë si optimiste e krisur që jam që gjithmonë ka me u bë mirë dhe besoj që ata kanë për ta pasur vullnetin për tu bërë mirë, sepse nuk ka askush interes që kjo punë mos të realizohet. E drejta është në anën tonë 100%, ndoshta edhe përmbi ligjin sepse nuk ka barazi në art. Sepse barazia pa meritokraci krijon anarki”, ka thënë Sheqeria.

Më tej, nga Shkëlzen Veseli është thënë se Ministria ka kohë ende që të jap përgjigjen e tyre, për të mos anuluar shfaqjet e Festivalit Moisiu.

“Nuk është që nuk ka kohë për t’u shpëtuar festivali, nëse kjo është me shumë rëndësi për Ministrinë edhe për menaxhmentin nuk është që jemi larg kohës për ta zgjidhur. Shfaqja është gati me të cilën fillon festivali “Moisiu”, trupat tjera janë zgjedhë. Kështu që kemi kohë, dhe po shpresoj që edhe Ministria do të reagoj për ta shpëtuar festivalin”, ka thënë Veseli.

Përveq pezullmit të shfaqjes “Emira”, pjestarët e sindikatës kanë thënë së besojnë që edhe teatrot tjera do t’i bashkangjiten kauzës së tyre për drejtësi e cila vjen me moton  “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë”.

Sindikata ka bërë të ditur gjithashtu se komunikimi tash e tutje do të bëhet me Këshillin Grevist, ashtu siç e kërkon ligji. Aktorët kanë thënë se do të jenë çdo ditë në teatër për të punuar në këtë atë hapësirë e cila sipas tyre nuk ka pasur asnjëherë kushte reale për punë./ KultPlus.com

Të ngjajshme