20 Qershor, 2022 - 1:46 pm
MKRS ka njoftuar se ndërtesa e Teatrit Kombëtar të Kosovës do të mbyllet për renovim të tërësishëm nga data 1 korrik 2022, përcjellë KultPlus.
Arsyeja pse ka ardhur deri te kjo kërkesë është gjendja jo e mirë fizike e objektit tash e sa kohë. Këtë e ka vërtetuar edhe raporti i profesorëve të universitetit “Hasan Prishtina” të angazhuar nga MKRS me titull: “Vlerësimi i gjendjes fizike të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, hartimi i termave të referencës (ToR) dhe ndërhyrjet e menjëhershme të evidentuara”.
Gjendja faktike e sigurisë në të cilën punojnë punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës është alarmante dhe kjo e bën kërkesën për renovim edhe më urgjente.
Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka njoftuar sot se aktiviteti i përgjithshëm artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk është ndalur dhe nuk do të ndalet.
“Teatri Kombëtar i Kosovës e ka hartuar edhe planin e punës dhe të veprimit gjatë periudhës së renovimit dhe në bashkëpunim të ngushtë dhe intenziv me MKRS është duke punuar për sigurimin dhe adaptimin e hapësirave alternative ku do ta zhvillojë aktivitetin e vet.
Shpresojmë që ky proces do të përfundojë shpejt dhe pa pengesa!”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com