20 Maj, 2020 - 10:00 pm
Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet me kredi dhe poshtë godinës do të ketë parkim.
Kështu është shprehur kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një intervistë televizive. Ai tha se do të ketë garë për zbatimin e projektit ndërsa koncepti do të jetë ai i paraqitur nga arkitekti i njohur danez, Bjarke Ingels.
“Projekti i teatrit është i Bjarke Ingels, që është arkitekti më i mirë në botë. Do të ketë garë, interesi i bashkisë është që ta bëjë me cilësinë më të lartë dhe me koston më të ulët. Nëntokë duam të bëjmë një parkim të madh, pasi kemi shumë ministri dhe institucione. Qytetarët mund të lënë makinat dhe të shijojnë qytetin. Për të gjitha këto do të marrim 3-4 muaj kohë dhe pastaj do të bëjmë garën”, deklaroi Veliaj.
Parashikimi paraprak është se vlera e Teatrit të ri Kombëtar të arrijë në 30 milionë euro, shumë e cila do të sigurohet me kredi. Veliaj tha se deri tani janë ofruar 17 banka dhe do të zgjidhet njëra prej të cilave do të kërkojë nisjen e pagesës në vitin 2025.
“Është një tokë që i përket dikujt tjetër, i përket bashkisë së Tiranës. Ende nuk e dimë se si do ta zhvillojmë, mund ta mbajmë parkim, mund të bëjmë hotel ose zyra. Ne kemi një opozitë që në vend që të japë një alternativë, vetëm gjëmon ku janë lejet dhe tenderët dhe shkojnë e vënë gjoba, shko te kunati bëj pagesën, se do të përmendim emrin. Jam përgjegjës për ndërtimin e teatrit pa iu prekur asnjë centimetër nga toka”, tha Veliaj.
Ai vijoi vijoi më tej se procedura ligjore për shembjen e godinës së vjetër ka qenë plotësisht ligjore dhe se, “nxitimi” për shembjen ka ardhur për shkak se Instituti i Ndërtimit e ka cilësuar godinë të rrezikshme dhe në rast të ndonjë aksidenti do të ishte përgjegjës ai vetë dhe zyrtarë të tjetër të bashkisë.
“Ishte një kauzë tullumbace, siç ishte Astiri. Për mua për jetë a vdekje është e ardhmja e qytetit dhe premtimet që kam bërë në fushatë do t’i mbajmë. Pas tërmetit gjysma e bashkisë së Durrësit përfundoi në burg, kështu që bashkia e Tiranës e nxori mësimin. Ditën e parë që na kaloi kjo pronë në juridiksionin e bashkisë, kemi verifikuar sigurinë e ndërtesës. Ndërtesa ishte pa vlerë dhe në 80 vite nuk ishte kurrë një monument i mbrojtur”, tha Veliaj.
Ai e cilësoi të pavërtetë pretendimin se shembja ka nisur kur brenda godinës kishte ende persona. “Kjo është e pavërtetë. Kanë qenë 30 inspektorë të Institutit të Ndërtimit që e kanë kontrolluar ndërtesën tri herë”, u shpreh Veliaj.
I pyetur nëse ka përgjegjësi për provokimin e protestave në kohë pandemie, ai u përgjigj se është votuar për të bërë detyrën e kryebashkiakut dhe përgjegjësinë duhet ta mbajnë partitë politike. “Jam votuar që të jem kryetar i bashkisë dhe jo psikologu i partive politike që humbin. Jam votuar për një gjë tjetër, duhet të përgjigjet kush merret me qetësimin e opozitës”, përfundoi Veliaj. /Atsh /KultPlus.com