17 Tetor, 2017 - 9:26 pm
“Shërbëtoret” është shfaqja nga ekipa bullgare që erdhi në natën e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Prishtina International Theater Festival”, i cili po mbahet në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje ishte e realizuar nga produksioni National Theatre, me autor Jean Genet dhe me regji të Diana Dobrevo. Aktorët të cilët performuan në këtë shfaqje janë: Joreta Nikolova, Aleksandra Vasilevo, Diana Dobrevo, Muja Shishkova, Niya Shiskovo. Shfaqja është në garë për njërin nga çmimet e këtij festivali, çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rol kryesor, çmimi për aktorin apo aktoren më të mirë në rol dytësor, çmimi për regjinë më të mirë dhe për shfaqjen më të mirë.
Në fokus të kësaj shfaqje paraqiten në rolet e dy shërbëtoreve, Sollanzh dhe Klara duke trajtuar kështu përmes tyre jetën dhe lirinë njerëzore. Ato të rritura në një shtëpi duke ushtruar gjithnjë rolin e shërbëtoreve, tërë jetën e tyre shërbehen me synimin për të ikur nga thundra e zonjës së shtëpisë. Të uritura për jetën dhe pushtin e Madam, në momentet kur ajo nuk gjendet në shtëpi ato mbulohen në petkun e saj të kuq, ulen në karrigen e saj dhe hidhen pas planeve për ta vrarë atë. Planet e tyre vazhdimisht të dështuara dhe pamundësia për të vrarë zonjën e tyre, bën që këto përpjekje ato t’i kthejnë për të vrarë njëra- tjetrën dhe vetën e tyre.
Drejtoresha artistike e festivalit, Burbuqe Berisha këtë shfaqje e cilësoi si një homazh për lirinë e të pafuqishmëve për me qenë të fuqishëm, ndërsa ardhjen e kësaj shfaqje nga Teatri Kombëtar i Sofjes e cilësoi si nder të madh për këtë festival dhe për publikun duke theksuar punën e aktorëve dhe veçanërisht të regjisores, të cilën e vlerësoi si njërën nga regjisorët më të mira në rajon.
Regjisorja e kësaj shfaqje, Diana Dobrevo tha për KultPlus se ndihet e lumtur që është pjesë e fillimit të këtij festivali, dhe tha se ndihet mjaft e lumtur që para publikut kosovar solli sonte këtë shfaqje në fokus të cilës ishte përpjekur që përmes dy personazheve kryesore të sjellë koston dhe përpjekjet për liri njerëzore.
Përveç kësaj shfaqje, në programin garues, nata e dytë e festivalit u pasua dhe nga shfaqja e dytë musafire “Shenjëtorja e errësirës”, një biografi teatrale kushtuar jetës dhe veprës së shenjtores shqiptare, Nënë Terezës. Kjo shfaqje është luajtur qindra herë në teatrot e Kroacisë e Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa sonte solli emocione të veçanta për publikun kosovar.
Ky festival do të vazhdoi të jetë i hapur deri më datë 21 tetor. Netët në vijim edicioni i parë i këtij festivali do të mirëpres edhe këto katër shfaqje garuese : “Vdes siç vdes një vend” nga Shqipëria, “SPEAK MEDEA” nga Irani, “Darka e Thërrimeve” nga Maqedonia, “Armiku i Popullit” nga Kosova. / KultPlus.com