20 Shtator, 2024 - 1:35 pm
Konferenca Teatrore, e mbajtur në Prishtinë, në kuadër të Festivalit “Summer Cult XI”, ka nxitur debate të forta dhe rekomandime të dobishme për gjeneratën e re të regjisorëve të rinj. Orientimi në të Ardhmen: Sfidat dhe Mundësitë për Gjeneratën e Re të Regjisorëve të Teatrit, ishte tema e edicionit të gjashtë të konferencës që organizohet çdo vit nga Cult Club. Panelistët, regjisorë, profesorë, aktorë, aktivistë të shoqërisë civile, kanë diskutuar në dy sesione për pengesat në të cilat po hasin regjisorët e teatrit në tregun e punës.
Profesoresha e Fakultetit të Arteve Eli Nura ka propozuar krijimin e një fondi të posaçëm për regjisorët e rinj. “ Krijimi i fondit lehtëson punën e regjisorëve të rinj”, ka theksuar ajo, duke potencuar edhe faktin se duhet të shtohet roli i dramaturgëve vendorë. Regjisorja Nura ka kritikuar klientelizmin aktual duke kërkuar monitorim të teatrove dhe konkurrencë të drejtë në treg.
Profesori i dramës, Arian Krasniqi, ka theksuar se situata është sfiduese për regjisorët e rinj. “Mungon hapësira për punë për regjisorët e rinj. Edhe kur fitojnë projekte individuale, ka vështirësi për realizimin e tyre, ndërsa ambienti nuk është stimulues”, u shpreh Krasniqi. Ai ka mbështetur krijimin e një fondi të ri për regjisorët e rinj, duke kërkuar më shumë hapësirë dhe promovim në teatrot e vendit
Hulumtuesi nga Instituti GAP, Besart Zhuja, i cili ka bërë një analizë të thelluar të subvencioneve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka potencuar se duhet patjetër të bëhet një strategji e kulturës së pari, mbi të cilën pastaj do të rregullohej edhe mbështetja e regjisorëve të rinj. “ Nuk ka strategji të dedikuar ekskluzivisht për kulturën. Rekomandohet bashkëpunimi ministri-shoqëri civile, për të gjetur kanale financimi për artistët e rinj”, u shpreh Zhuja duke inkurajuar aplikimet në grante ndërkombëtare, sepse ka mundësi mbështetjeje. Sipas tij duhet të krijohet një sistem të dhënash për artistët, të dixhitalizohet procesi i dhënies së granteve dhe të shtohet transparenca.
Ndërsa pedagogu nga Tirana, Redion Mulla, u shpreh se krijimi i një databaze të artistëve, duhet të nisë që nga fakulteti. Ai pohoi se në Shqipëri ka fond për regjisorët e rinj, por është tepër i vogël.
Studenti i doktoratës, Artan Tmava vlerësoi se themelimi i teatrove profesionalë, është zhvillim pozitiv në Kosovë, por teatrot me politikat e veta duhet t’u bëjnë hapësirë regjisorëve të rinj. “Projektet të vlerësohen mbi bazën e platformës dhe vizionit dhe jo vetëm përvojës. Të ketë bashkëpunim regjisor i vjetër-regjisor i ri”, ka propozuar Tmava.
Regjisori Armend Zeqiri nuk i ka kursyer kritikat ndaj teatrove në Kosovë dhe MKRS-së. “Teatrot bëjnë matematika në ndarjen e projekteve, që dëmtojnë regjisorët e rinj. Aplikimet janë të komplikuara, dixhitalizimi ka dështuar në MKRS. Ka shumë vonesa në vlerësim të projekteve. Regjisorët e rinj nuk kanë ekipe punuese. Ka një mosbesim të aktorëve ndaj regjisorëve të rinj.’ Sipas Zeqirit ligjin e sponsorizimit nuk e njeh mirë MKRS dhe kërkesat refuzohen për shkak të mosdijes së zyrtarëve.
Regjisori Astrit Bytyqi në vazhdën e këtyre kritikave, pohoi se teatri kombëtar nuk krijon hapësirë për regjisorët e rinj. “Teatrot lokalë kanë matematika, ku drejtuesit bëjnë pazare për t’i siguruar vetes angazhim”, tha ai.
Regjisorja Shkurte Aliu ka adresuar vërejtje ndaj sistemit administrativ, që sipas saj krijon pengesa të mëdha. “Procedurat të çojnë drejt dështimit. Buxheti, është problemi kryesor që vonon diplomimin e studentëve të regjisë”. Sipas Aliut, shpresa është te gjeneratat e reja, edukimi i tyre për artin. Ajo ka kritikuar edhe një trend në Festivale, ku më të rëndësishme “janë bërë ndejat sesa përmbajtja e festivalit”.
Regjisori Ylber Nuredini solli përvojat nga Maqedonia e Vetiut. “Problematika në Maqedoni është e ngjashme me Kosovën. Buxheti, mbetet problemi kryesor. Ministria e kulturës në Maqedoni është denigruese, edhe pse ka edhe shqiptarë që marrin pjesë në komisionet vlerësuese”, theksoi ai. Nuredini kërkoi që artistët të vlerësojnë punën e njëri – tjetrit, sepse mungon ky vlerësim, sidomos për regjisorët e rinj.
Aktorja nga Shqipëria Suela Konjari ka vlerësuar faktin se kemi vepra kombëtare dhe regjisorët e rinj i vënë edhe më mirë se të vjetrit. “Ky forum ka rëndësi po aq sa festivali (Summer Cult XI), për të rrahur çështjet e për të zgjedhur problemet”, u shpreh Konjari.
Profesori Agim Selimi në diskutimin e tij kërkoi rrugëdalje nga qorrsokaku, ku sipas tij është edhe teatri, si krejt shoqëria. “Duhet të gjejmë mënyra si ti stimulojmë regjisorët e rinj, që janë liderët e së ardhmes. MKRS duhet të hapë konkurs vetëm për regjisorët e rinj. Teatrot gjithnjë të lënë hapësirën e rezervuar për regjisorët e rinj”, vlerësoi ai. Problem sipas Selimit, mbetet mungesa e kritikës teatrore, që ndikon në krijimin e klaneve, të cilat “e dëmtojnë më shumë se politika teatrin”. Regjisori Selimi vlerësoi lart mbajtjen e Festivali të regjisorëve të rinj “Summer Cult”.
Rekomandimet e kësaj konference, do t’i dërgohen MKRS-së nga organizata kulturore me përvojë Cult Club.
Konferenca Teatrore, është një forum vjetor i rregullt, që bashkon krijuesit, studiuesit, regjisorë, aktorë, producentë, profesorë, etj, për të shtjelluar sfidat e komunitetit teatror dhe për të rritur mbështetjen institucionale dhe partneritetin artistik.
Konferenca u organizua në kuadër të Programit Vjetor të Cult Club, që mbështetet nga MKRS. / KultPlus.com