4 Korrik, 2023 - 5:01 pm
Tenori Saimir Pirgu, ylli i teatrove më prestigjioze botërore si “La Scala”, “Metropolitan Opera- New York”, “The London Royal Opera House”, e shumë të tjerë, do të çelë Kalendarin Kuristik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Shoqëruar nga mjeshtëria e Orkestrës Simfonike e TKOB-së, nën dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli, tenori shqiptar me famë botërore, konsideruar nga shumë personalitete të artit si “Ylli më i shndritshëm në qiellin ndërkombëtar të operës”, Saimir Pirgu, do të performojë më 8 korrik, në një nga monumentet më të rëndësishëm të antikitetit, në Amfiteatrin e Butrintit.
Në violinë do të interpretojë edhe vetë drejtoresha e përgjithshme e TKOB-së, Abigeila Voshtina, e cila edhe këtë radhë vishet me petkun e artistes, shoqëruar nga Herta Cane në piano. Në skenë do të ngjiten të tjerë emra të mirënjohur të artit, aktorë, kompozitorë e instrumentistë.
Ky koncert çel siparin e shumë koncerteve dhe shfaqjeve të tjera që do të vijnë përgjatë këtij sezoni veror nga Teatri i Operës dhe Baletit, nga Veriu në Jug, me emrat më të mirënjohur kombëtarë e ndërkombëtarë./atsh/ KultPlus.com