22 Maj, 2023 - 10:00 pm
Vjollca Duraku
Foto: Esad Duraki
Mbrëmë në teatrin Oda, në kuadër të edicionit të 11 të Festivalit Fem Art, u dha shfaqja e Mitcha Figas “The Superfluous Man” nga regjisori Yehezkel Lazarov, e cila ishte bashkëpunim me Trupën Artistike Rezidente të Artpolis, shkruan KultPlus.
Shfaqja “The Superfluous Man”, që në vete ngërthente art dhe filozofi, për tu paraqitur para audiencës prishtinase, këtë herë kishte udhëtuar nga Izraeli.
Shfaqja nisi rreth orës 19:00, këtë herë filloi në oborrin e Teatrit Oda, dhe përgjithësisht trajtoi fenomenin e indiferencës në jetën shoqërore dhe private, ku përtacia, mosveprimi, plogështimi dhe ëndërrimi, janë pjesë e sistemit të besimit të heroit.
Trupa Artistike Rezidente e ArtPolis, në përbërje nga aktorët Qëndresa Kajtazi, Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Zhaneta Xhemajli, Labinot Raci dhe Blerta Gubetini zbritën nga shkallët e Pallatit të Rinisë, prej nga edhe filluan performancën e tyre disa minutëshe me thënie filozofike nga filozofi Artur Shopenhauer.
“Ne na pëlqen të shohim teksa njerëzit tjerë vuajnë, sepse kjo na jep ne kënaqësi. Duke e parë se jemi të përjashtuar nga vuajtja.
Arsyeja që njerëzit i mbajnë fytyrat e lumtura, edhe pse përbrenda vuajnë rrjedh vetëdijshëm nga kujdesi që njerëzit kanë për këtë trajtë njerëzore pa shpëtim. Ku zbulohet kënaqësia që ndiejmë tjetrin duke vuajtur”, ishin fjali filozofike te cilat trajtonin thellësinë e qenies njeri.
Pas përfundimit të pjesës artistike, aktorët e Artpolis u zhvendosën në hollin e Teatrit Oda të cilët e vazhduan perfomancën e tyre duke pritur audiencën të hynin brenda në sallë, duke i kënduar ninullat “Nina, Nana në djep të drunit t‘i mu bëfsh plak i katunit” dhe “Nina, nana në djep të hekurit t’i mu bëfsh plak i qytetit” duke e parë në korridorin e saj një grua në gjumë dhe videoinstalacionin “Fantazma” nga Ran Slavin.
Pastaj, brenda Teatrit Oda u dha edhe pjesa tjetër e shfaqjes nga aktorët e Izraelit, shfaqje e cila trajtoi fenomenin e indiferencës në jetën shoqërore dhe private në një botë e cila është e përqendruar në synime, aspirata dhe arritje, ku kërkohen përgjigje për pyetje se a është legjitim largimi nga sekuenca e vazhdueshme e jetës, nga fuqia punëtore dhe nga jeta shoqërore? dhe a ka të drejtë një njeri të jetojë jetën e tij pa lënë gjurmë?
Aktorë në këtë pjesë ishin: Adam Gabay, Shirah Naor, Vladimir Friedman, Alon Barel, Bar Sade dhe Eduard Shpochman.
Shfaqja izraelite e cila u dha me titra në gjuhën angleze, pati edhe disa pika të ndërlidhura të cilat herë pas here shfaqeshin edhe në shqip. Një lloj meditimi u realizua nga të gjithë pjesëmarrësit, e cila u mundësoi pjesëmarrësve të shkëputeshin nga e kaluara dhe e ardhmja si dhe identiteti i tyre.
Përfundimi i shfaqjes pasoi me duartrokitje të shumta, si shenjë falënderimi për artin e dhuruar. Ndërsa aktorja nga Trupa Rezidente e Artpolis, Kaltrinë Zeneli në një prononcim për KultPlus tha se ka qenë interesante përvoja për të qenë pjesë e shfaqjes e cila në fillim ishte monolog filozofik.
“Ka qenë interesant për të realizuar hyrjen në një shfaqje të tillë. Njëkohësisht është edhe nder për ne me qenë pjesë kësaj shfaqje. Fillimisht ne kemi bërë një work-shop, ku pastaj regjisori na ka treguar dhe na ka ndarë rolet. Pjesa e parë e shfaqjes ishte me një monolog filozofik”, ka thënë aktorja.
Aktorja Zeneli po ashtu, ka thënë se interpretimi dhe përgatitja e këtij monologu nuk ka qenë e vështirë, pasi sipas saj aktorët janë të mësuar të interpretojnë pjesë të vështira teatrale.
“Nuk ka qenë diçka e vështirë. Ne si aktorë jemi mësuar me gjëra shumë më të vështira dhe kjo ka qenë diçka si një lloj paragjelle nëse e përdorim analogjinë. Interesant ka qenë. Ne nuk e kemi parë shfaqjen nuk e kemi ditë se çka do të përmbajë ose çfarë ka me qenë shfaqja. Po mandej u lidh në tërësi edhe pjesa si e filluam ne dhe mandej edhe zhvillimi i shfaqjes. Për mua ishte një gjë shumë e mirë.”, ka përfunduar Zeneli.
Kjo shfaqje ishte në kuadër të natës përmbyllëse të edicionit të 11—të të Festivalit FemArt, i në vend brenda një jave solli artistë dhe shfaqje të ndryshme nga bota, e të cilat këtë herë, përpos kryeqytetit, patën shtrurje edhe në qytetin e Mitrovicës./KultPlus.com