7 Korrik, 2019 - 4:30 pm
Mbrëmja e djeshme në Amfiteatrin e Liqenit Artificial në Tiranë, ka qenë një mbrëmje e cila duket se do të mbesë gjatë në memorien e qindra artdashësve të baletit, të cilët kishin mbushur plotësisht jo vetëm vendet për t’u ulur, por edhe shkallët e Amfiteatrit.
Shtatë çifte balerinësh nga Tokio, Amsterdami, Moska, Milano, kanë performuar mbrëmë pjesë nga autorët më të mëdhenj të muzikës klasike botërore, por edhe asaj bashkëkohore si: “Pa De Deux” nga Liqeni i Mjelmave”, “Don Kishoti”, “Arrëthyesi”, “Korsari”, “Bajadera”, “Zhizel”, etj., por dhe pjesë moderne nga koreografët më të mirë në botë si Nacho Duato, Zanela Ginzales, Prelocaj etj. Eventi kërcimit i cili u organizua nga shoqata “ZUMBA ART” në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës arriti të sjellë për publikun e Tiranës disa prej emrave më të njohur të baletit botëror, të cilët me performancat e tyre arritën që për 2 orë me radhë, skenën e Amfiteatrit te Liqeni Artificial ta kthejnë në një skenë magjike.
Ardhja e artistëve me famë botërore në Tiranë është një tregues tjetër se kryeqyteti po kthehet në një destinacion edhe për artistë me famë botërore, të cilët deri dje mund t’i shikonim dhe t’i ndiqnim vetëm nëpërmjet ekraneve të televizorëve apo rrjeteve sociale. “Takohemi në Moulin Rouge”, duket shumë shpejt do të kthehet në “Takohemi në Amfiteatrin e Tiranës”.1 nga 7