30 Shtator, 2021 - 3:18 pm
Para disa ditësh në Teatrin Kombëtar të Kosovës kanë filluar provat e kastës së aktorëve për shfaqjen “Aroma e Hënës”, sipas dramës me të njëjtin titull të Mehmet Krajës, që njëherazi është pjesa e tretë e trilogjisë “Hëna prej Letre”, e që vjen nën regjinë e Rozi Kostanit, për të shënuar kështu hapjen e sezonit të ri vjeshtor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Elementi i një teatri të angazhuar i cili ngreh problematika thelbësore të një vendi, duket se ka ‘ngacmuar’ dhe intriguar regjisoren e shfaqjes, Rozi Kostani, e cila është bazuar në pyetjet e zakonshme se çfarë duam ne në këtë vend, çfarë është ky vend dhe se çfarë na plotëson. Por që sipas saj, vendin e bëjnë njerëzit dhe jemi ne fajtorët që ky vend nuk ecën përpara.
Artikulimi që bënë autori dhe problematikat e shpalosura në vepër, duke u bazuar në faktet e politikës ditore dhe politikës mediale janë cilësuar si temat kryesore që përfshihen në shfaqjen e cila brenda vetës ngërthen ndërlikimin dhe ndërveprimin e politikës me median dhe gërshetimin e tyre që shpërndan mesazhe në popull si p.sh: gjithçka po shkon mirë dhe është një lloj mjegulle që ndikon te populli.
Ndërsa për të treguar më shumë rreth shfaqjes, për KultPlus, foli vetë regjisorja Rozi Kostani.
“Ka qenë e vështirë përzgjedhja e kastit të shfaqjes, sepse unë kam pasur nevojë të njihem me ta, të jem brenda ngjyrimeve të personazheve që më ka propozuar autori në këtë vepër. Ka qenë një përpëlitje që të qoja rolet në ‘ato ujëra’ dhe mendoj se kam bërë përzgjedhjen e duhur”, thotë Kostani.
Sipas saj, puna e palodhshme paraqitet në ‘teatrin e fjalës’ e jo në një teatër ‘me lule e fishekzjarre’, ku publiku konsiderohet si një medium i cili të fton në ngritjen e tezave të autorit, si dhe në bashkëpunimin midis tyre deri në një rezultat.
“Publiku kur të dal nga skena duhet të mendoj, të fillojë të ‘përtyp’ mendimet e tij, e jo vetëm të dal i çlodhur nga një shfaqje. Teatri ka për qëllim ndërgjegjësimin dhe ndriçimin, ne vërtet kemi edhe hënë të madhe për të dhënë pak dritë mbi mendime dhe veprime njerëzore pikërisht për këtë vend i cili është pjesë themelore dhe përmbajtësore e këtij populli”, thotë Kostani.
Sa i përket procesit të provave, konsiderohet se është në një proces analitik ku po bëhet zbërthimi i veprës, shfaqen mendimet dhe ndjesitë e kastës, duke iu referuar tekstit në pika të ndryshme të cilat duhet të deshifrohen.
“Publiku do jetë pjesë e shfaqjes sepse vepra është zemra e problematikës, është pjesë e këtij vendi dhe është super konkrete, e andaj dhe publiku duhet ‘të rrah’ dhe ta ndjejë këtë pulsim bashkë me ne në skenë”, thekson ajo.
Për Kostanin, masat anticovid nuk janë se kanë ndikuar në mënyrë negative në procesin e provave, për arsye se tashmë është mësuar me masat parandaluese të pandemisë.
Duke marrë parasysh se shfaqja “Aroma e hënës” hap sezonin e ri në Teatrin Kombëtar, regjisorja ndjehet shumë e lumtur që po punon me kastën e aktorëve të përzgjedhur për këtë shfaqje, me ç’rast ajo dëshiron të barazoj ndjeshmërinë kombëtare. Ndërsa, Kostani tutje bëri të ditur se po punon për herë të parë me kastën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, edhe pse me disa prej tyre njihet paraprakisht prej shfaqjeve të mëparshme në të cilat kanë punuar bashkë.
“Është e rëndësishme që ne jemi në të njëjtat ujëra, unë po kuptohem mirë me aktorët, e kjo është një gjë mjaft e rëndësishme”, thotë Kostani.
Ndërkohë, për prezantimin e kësaj shfaqje edhe në teatrin e Tiranës, regjisorja pohoi se kjo gjë patjetër që do të ndodh dhe është e paevitueshme.
Kështu krejt në fund, për dëshirën e mëtutjeshme për të bashkëpunuar me Teatrin Kombëtar të Kosovës, në kuadër të shfaqjeve tjera, regjisorja Kostani ka shprehur gatishmërinë e saj. / Edlira Musliu / KultPlus.com