15 Shtator, 2021 - 4:30 pm
Teatri Kombëtar i Kosovës do të fillojë sezonin vjeshtor me dramën ‘Aroma e Hënës’ të Mehmet Krajës, përcjell KultPlus.
Në njoftimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës thuhet se përveç dramës së Krajës janë miratuar edhe dy tektë të tjera për skenë të vogël, ajo e Enver Petrovcit e titulluar ‘Muslimani’ dhe ‘Kuartet’ nga Heiner Muller’.
Njoftimi i plotë:
Përveç dramës së Krajës, e cila do të shfaqet në skenën e madhe, me propozim të zv/ Udhëheqësit Artistik, Këshilli Drejtues i TKK-së , ka miratuar edhe dy tekste për skenë të vogël: “Muslimani” të Enver Petrovcit dhe “Kuartet” të Heiner Muller.
Skena e madhe:
Teatri Kombëtar i Kosovës nga java e ardhshme do të fillojë provat për shfaqjen “Aroma e Hënës”, sipas dramës me të njëjtin titull të Mehmet Krajës, që njëherazi është pjesa e tretë e trilogjisë “Hëna prej Letre”, ndërsa, regjinë e shfaqjes do ta bëjë Rozi Kostani, profesoreshë në Akademinë e Arteve në Tiranë.
Regjisorja Kostani në bashkëpunim me menaxhmentin e TKK –së, do të organizojnë një audicion të brendshëm, për ditën e Hënë (20 Shtator 2021) me aktorët e Trupës Rezidente të Teatrit, ku ajo do të bëjë përzgjedhjen e aktorëve dhe ekipin realizues të shfaqjes.
Poashtu është vendosur që të vazhdohet procedura e sigurimit të të drejtave autoriale të “Shakespeare in Love”, dramë që është bartur nga viti paraprak regjinë e së cilës do ta bëjë Ilir Bokshi.
Skena e vogël:
Dy tekste të miratuara nga Këshilli Drejtues duo-drama e autorit Enver Petrovci me titull: “Muslimani” dhe dramën e Heiner Muller “Kuartet” do të inskenohen brenda këtij viti.
Konkursi për platforma regjisoriale të skenës së vogël, do të mbyllet sonte në ora 24:00 ndërsa, që nga fillimi i javës tjetër KD – ja do të formojë komisionin për vlerësim të platformave (koncepteve) regjisoriale që do të përzgjidhen regjisorët që do të realizojnë shfaqjet “Muslimani” dhe “Kuartet”./KultPlus.com