2 Nëntor, 2023 - 11:59 pm
TKOB do të mundësojë që edhe artdashësit që kanë vështirësi në shikim të mund të shijojnë plotësisht shfaqjet e operës dhe baletit, me përshkrim zanor.
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit bëhet kështu i pari institucion i kulturës në vend, që ofron mundësi të barabarta për të gjithë spektatorët, pavarësisht kufizimeve fizike.
Për këtë arsye sot në ambientet e TKOB u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit mes Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe United Nations Association Albania për të mundësuar 5 shfaqjet e para me përshkrim zanor.
E pranishme në nënshkrimin e këtij memorandumi, drejtoresha e Përgjithshme e TKOB, Abigeila Voshtina u shpreh se trajnimet e stafit do të vijojnë më tej, për të shtuar gamën e shfaqeve me përshkrim zanor në TKOB.
“Aktualisht që flasim është trajnuar stafi i TKOB-së, regjisorja dhe një punonjëse, por do të trajnohet edhe baletmaestri, dhe në kohë reale, gjatë kohës që performohet, u shpjegohet artdashësve që nuk shohin, se çfarë po ndodh në skenë”, – u shpreh Abigeila Voshtina.
Shfaqja e parë në Shqipëri për artdashësit që nuk shikojnë është “Arrëthyesi”, që do të mundësohet në bazë të këtij memorandumi, e që do pasohet edhe me 4 shfaqje të tjera./atsh/ KultPlus.com