TKOB-së i shtohen dy piano të vjetra në kushte optimale pune

27 Dhjetor, 2022 - 7:00 pm

Bashkë me pianon e re “Steinway & Sons”, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit tashmë ka në përdorim edhe dy piano të vjetra, në kushte optimale pune.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi në rrjetet sociale se brenda kontratës së blerjes së pianos së re, u përfshi edhe restaurimi i Grand Piano Steinway & Sons, prodhim i 1989-ës dhe Grand Piano Yamaha, prodhim i 1988-ës në Japoni.

“Pas ndërrimit të kokave të çekiçit dhe krahëve, i fllanxhave, zëvendësimit të tasteve dhe lustrimit të tastierës, zëvendësimit të telave të dëmtuar, riparimit të sistemit të pedaleve dhe elementeve të brendshëm të pianos, pastrimit dhe akordimit, pianot duken si të reja”, informon ministrja.

Steinway është një kompani gjermano-amerikane e prodhimit të pianove, e themeluar në 1853, në Manhattan nga gjermani Heinrich Engelhard Steinweg. Pianot Steinway&Sons njihen botërisht për tingullin dhe mjeshtërinë e ndërtimit. Sipas pjesës më të madhe të muzikologëve, tingulli i prodhuar nga një Stainway s’ka të krahasuar. / KultPlus.com

Të ngjajshme