Tmerret e kampit të Bllacës zbritën në TKK përmes shfaqjes “Bryma e vdekjes”

9 Prill, 2019 - 3:34 pm

Pamjet e kampit të Bllacës u përjetësuan edhe një herë mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Rreshti i njerëzve të cilët ecnin një pas një nëpër hekurudha të trenit ishte pamja e parë që u soll nga aktorët e shfaqjes “Bryma e Vdekjes” me regji të Burbuqe Berishës, shkruan KultPlus.

Skenografia e realizuar nga Petrit Bakalli solli pamjen e tendave të improvizuara nga shqiptarët gjersa prisnin në Bllacë për të kaluar kufirin e Maqedonisë. Nga një zjarr ishte ndezur pranë për tu ngrohur e për të ndriçuar, i zbehtë njëlloj si shpresa e tyre që një ditë çdo gjë do të kalojë.  Tmerr dhe dhimbje e cila erdhi e dokumentar shumë bukur përmes lojës së aktorëve që sollën copëza të ngjarjeve që ndodhen aty. Dikush solli jetën në atë vend ku balta u bë një me mishin e trupit, e dikush dha jetën, dikush u rrah për vdekje, e të gjithë u lënduan shpirtërisht, u thyen, lufta e tyre ditore ishte sigurimi i një copë buke që hidhej nga ata që kishin dal kinse për t’i ndihmuar.

20 vite pas, ato që kanë ndodhur në luftën e fundit në Kosovë, nuk duhet të harrohen. Përkundrazi sipas vet regjisores së kësaj shfaqjes, Burbuqe Berishës, sjellja e këtyre rrëfimeve edhe pse mund të jetë një punë e vështirë dhe sfiduese për regjisorin,  duhet të bëhet.

“Kjo shfaqje është shumë e rëndësishme sepse është njëzet  vjetori i luftës së fundit në Kosovë, njerëzit nëpër botë i përkujtojnë historitë për të mos u përsëritur edhe kjo është punë që e ka menduar edhe menaxhmenti i Teatrit Kombëtar dhe ka qenë e përzgjedhur nga unë dhe mendoj që si politik është mjaft e mirë. Një formë e tillë e dokumentarit në Teatër shumë pak njerëz e marrin për ta trajtuar, unë për atë arsye kur e kam marrë tekstin e kam ditur që vetëm në këtë formë mund të trajtohet”, u shpreh ajo për KultPlus.

Kjo shfaqje u cilësua si një frymë dokumentari nga dramaturgu dhe regjisori Naser Shatrolli. Sipas tij shfaqja ka pasqyruar një realitet, një tragjedi kombëtare të cilën e kanë përjetuar shumë njerëz në Kosovë.  Sipas tij Milazim Krasniqi i cili e ka realizuar tekstin e shfaqjes, ka sjell një tretman artistik teatror e në anën tjetër regjisorja e ka trajtuar saktë aspektin dramaturgjik.

“Kjo histori është emocion. Kuptohet që na kthen në një tragjedi kombëtare, na kthen në një moment mbas 20 viteve. Ne jemi të ri dhe nuk e dimë historinë saktë se si ka ndodhur, në këtë rast regjisorja e ka sjellë në një frymë të një dokumentari, ka pasqyruar atë realitet të madh, atë humnerë të madhe të këtyre njerëzve që sonte ndoshta mbi 50 përqind kanë kaluar në këto lloj binarësh. E përgëzoj zotëri Milazim Krasniqin për këtë mënyrë çfarë ai e ka sjellë këtë tretman artistik teatror, gjithsesi duke i dhënë edhe meritat regjisores që e ka trajtuar saktë ashtu qysh është në aspektin dramaturgjik”, tha Shatrolli për KultPlus.

Sipas Shatrollit pjesa autoriale përveç aktrimit, që sipas tij ishte brumi i kësaj shfaqje, përmes klithmave e këngëve, kanë sjellë përjetimet e tmerrit të shqiptarëve përballë syve të botës.

“Kosova ime! Më vjen turp që s’munda të bëjë më shumë për ty. Nga turpi qava për ty”, është një pjesë e këngës të cilën e potencon Shatrolli. Këto vargje që herë pas herë dëgjohet në këtë shfaqje shoqëroheshin me të qara e dënesje.

Një sjellje e tillë teatrale u mirëprit edhe nga tekstshkruesi i dramës, Milazim Krasniqi. Ai tha se është ndarë i kënaqur me shfaqjen dhe se idetë e tij të cilat i ka pasur për shfaqjen janë transmetuar në mënyrë korrekte në skenë,  e po ashtu edhe performanca e aktorëve sipas tij ishte shumë e mirë.

“Loja e aktorëve ishte shumë e mirë, shumica e aktorëve kanë pas një motivim dhe mobilizim shumë të mirë kjo edhe falë përzgjedhjes që ka bërë regjisorja edhe mënyrës sesi ajo ka punuar, kështu që në përgjithësi jam i kënaqur. Idetë e shfaqjes time janë transmetuar në mënyrë korrekte në skenë”, u shpreh Krasniqi për KultPlus.

Disa nga aktorët në shfaqje nuk e kishin përjetuar luftën, mirëpo arritën që shumë mirë të sjellin gjithë bagazhin emocional që kërkon një shfaqje e tillë. Aktori Valmir Krasniqi i cili ka lindur dhe është rritur në Gjermani ishte në mesin e tyre. Mirëpo, për të sjellë këtë rol ai ka bashkëbiseduar me njerëz të cilët kanë qenë në kampin e Bllacës si dhe ka lexuar për këtë ngjarje që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.

“Jam munduar që sa më shumë të dëgjoj histori  e të përcjell dokumentarë, që të informohem dhe t’i absorboj tek vetja gjitha ato përjetime, e më pas t’i paraqes tek publiku. Ky ishte një proces sa i vështirë aq edhe i bukur dhe i veçantë. Unë besoj që jam pjekur profesionalisht shumë sepse kemi bërë një punë shumë të madh. Kemi punuar dy muaj intenzivisht në personazhe, në hulumtime e gjithçka”,  tha Valmiri për KultPlus.

Aktorët që luajtën në këtë shfaqje janë: Valmir Krasniqi, Albulena Kryeziu –Bokshi, Bujar Ahmeti, Teuta Krasniqi, Thana Deliu, Artiola Hamdija, Blerta Deliu, Afrim Muqa, Naim Berisha, Ismet Azemi, Shpetim Kastrati, Labinot Raci, Xhejlane Godaci dhe Adhurim Demi. Ndërsa kompozitor i muzikës ishte Florent Bishnjaku, Skenografia është e punuar nga Petrit Bakalli dhe kostumografia nga Albulena Borovci ndërsa koreografinë e shfaqjes e ka punuar Sinan Kajtazi.

Repriza e parë e kësaj shfaqje do të jetë sonte duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. G. Mujaj / KultPlus.com

Të ngjajshme