1 Dhjetor, 2023 - 2:35 pm
Teatri Kombëtar në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe Teatrin Shqiptar të Shkupit sjellin sot dhe nesër veprën “Shtëpia e Zotit”.
Tragjikomedia, nga Ledian Gjeçi, i zhvillon ngjarjet në një “shtëpi bari”, në Shqipëri. Historia zhvillohet gjatë një feste të pazakontë, në shtëpinë ku prodhohet hashash, i cili grabitet pikërisht ndërsa personat e përfshirë në këtë biznes, ishin duke festuar. Kjo ngjarje pasohet me kaos dhe të gjithë i bren dyshimi për tradhëtinë e mundshme të njëri-tjetrit. Por ndërkohë që “shtëpia e barit” nuk është më sekret, lind nevoja urgjente për një tjetër vend të sigurt dhe dikush propozon një vend fantastik ku nuk hyn askush; një vend të përsosur për të jetuar, e për të vdekur, vend i cili do të jetë dëshmitar i ndodhive të jashtëzakonshme që do të pasojnë.
“Shtëpia e Zotit” do të shfaqet në sallën “Central 400” te ArTurbina.
Regjisori i shfaqjes është Ilir Bokshi, koreograf Robert Nuha, skenograf Bekim Korça, kostumografe Njomza Luci, kompozitor Endri Sina, as/regjisore Dorina Çaushi. Vepra teatrore ishte përshëndetëse në festivalin “Moisiu” që pas Shkupit zhvilloi edicionin e dytë në Tiranë./ atsh / KultPlus.com