20 Nëntor, 2020 - 10:31 pm
Zana Hoxha, Ilire Vinca e Burbuqe Berisha janë nominuar në “2020 Gilder/Coigney International Theatre Award” që ndahet një herë në tre vjet nga “The League of Professional Theatre Woman” (Liga e Grave Profesioniste të Teatrit), shkruan KultPlus.
Për këtë arritje ka njoftuar regjisorja e njohur Zana Hoxha, e cila bashkë me dy koleget tjera do të jenë të pranishme në këtë ceremoni. Përderisa Hoxha dhe Berisha janë nominuar për herë të parë në këtë ngjarje të madhe të teatrit, Ilire Vinca një nominim të tillë ka pas edhe para disa viteve.
KultPlus ju sjell të plotë statusin e Zana Hoxhës.
Së bashku me Aktoren Ilire Vinca dhe regjisoren Burbuqe Berisha unë jam renditur në mesin e 27 grave të 18 vendeve të botës si të nominuara për çmimin prestigjioz që njeh kontributin e grave në botën e teatrit. Ilirja për herë të dytë ndërsa unë dhe Buqja për të parën, e kemi futur Kosovën në hartën e shteteve, ku gratë ia dalin të jenë profesioniste të zonja, edukuese përmes artit e edhe frymëzuese për gjeneratat e reja.
Të tria jemi pjesë e listës së të nominuarave për “2020 Gilder/Coigney International Theatre Award” që ndahet një herë në tre vjet nga “The League of Professional Theatre Woman” (Liga e Grave Profesioniste të Teatrit)./ KultPlus.com