Trupa e Baletit të Kosovës gati për të thyer ‘Muret’

7 Shkurt, 2018 - 3:20 pm

Alberina Haxhijaj

Trupa e Baletit të Kosovës tashmë ka bërë çdo gjë gati për të dhënë premierën e shfaqjes së tyre “Pa mure”. Shfaqja koreografinë e të cilës e ka realizuar Teuta Krasniqi do të jepet nesër mbrëma, në Teatrin Kombëtar të Kosovës duke filluar nga ora 20:00, shkruan KultPlus.

Balerina Teuta Krasniqi, e cila ka rreth dyzet premiera deri tani, kësaj radhe i ka caktuar vetës një detyrë më të vështirë. Ajo së bashku me Trupën e Baletit të Kosovës pjesë e të cilëve është edhe koreografja janë bashkuar për të sjellë në skenë shfaqjen “Pa mure”, shfaqje e cila ka ardhur si një retrospektive e përjetimeve të Kosovës të cilat kanë lënë gjurmë te Krasniqi. Kështu ajo gjithë emocionet e saj i ka kthyer në lëvizje për të sjellë kështu premierën e parë të baletit për këtë vit.

“Inspirimin e kam marrë nga gjërat të cilat i kam kaluar edhe vet. Siç dihet ne gjithmonë si popull kemi pasur vështirësi që kur e mbaj mend unë. Gjithë këto sfida të cilat i kemi kaluar unë i kam quajtur mure. Ka ardhur një kohë kur ne e kemi fituar pavarësinë mirëpo prapë se prapë kemi ngecur brenda disa mureve të cilat nuk po na lejojnë që të lëvizim lirshëm, dhe këtë e shoh unë si problem”, shpjegoi ajo duke theksuar se muret kanë kuptim më të gjerë dhe i sheh si pengim edhe i zhvillimit artistik dhe kulturorë.

“Kam menduar gjatë para se të marrë një vendim të tillë mirëpo këtë ide gjithmonë e kam pasur në kokë dhe kam dashur që ta shpreh edhe në bazë të lëvizjeve. Kjo është edhe mënyra më e mirë sesi unë mund të shprehem”, vazhdoi tutje ajo duke i falënderuar të gjithë që i kanë ndihmuar në realizim e këtij projekti dhe duke e çmuar lartë besim që kanë shfaqur balerinët e tjerë ndaj saj.

Drejtori i Baletit të Kosovës, Ahmet Brahimaj theksoi se kjo shfaqje është shumë e rëndësishme pikërisht për faktin se Teuta Krasniqi është edhe koreografja e parë grua e cila ka bërë një koreografi të plotë në Kosovë.

“Gjithë shfaqja është një realizmi i joni dhe kjo ka rëndësi shumë për baletin. Teuta ka filluar e para dhe ajo edhe e meriton një gjë të tillë. Që nga ky vit kemi filluar që të u japim mundësin edhe njerëzve tonë pasi që ata e kanë edhe eksperiencën e duhur dhe kanë edhe imagjinatë që është e rëndësishme. Kurse në fund të viti e kemi një premierë tjetër ku koreografinë ja kemi besuar balerinit Sinan Kajtazi”, u shpreh ai duke theksuar se Trupa e Baletit ka mjaftë punë këtë vit edhe për shkak të shfaqjeve të shumta që do të ketë edhe jashtë vendit. Ai gjithashtu theksoi se pikërisht kjo shfaqje e meriton që të shfaqet edhe jashtë vendit për shkak të temës dhe realizimit.

Balerini, Kreshnik Musolli i cili edhe ka qenë edhe asistentë në këtë shfaqje u shpreh se vlera më e madhe e saj është se ajo mund të konsiderohet një realizim i plotë i Baletit të Kosovës.

“Ka qenë një përvojë mjaftë interesantë me asistua në një punë e cila ka ndikuar që ne të pavarsohemi si një trupë prej ndikimit të koreografëve të tjerë duke filluar që të krijojmë vetë shfaqje. Diçka që do e quaja prej Shtëpisë sonë”, u shpreh Musolli.

Pikërisht ky fakt ka ndikuar që të gjithë balerinë të japin maksimumin e tyre në realizmin e shfaqjes ka theksuar Aulonë Nuhiu. “Ka qenë një kënaqësi shumë e madhe për të punuar me Teutën. Ne e kemi kolege dhe tashmë njihemi dhe jemi munduar që të gjithë të japim maksimumin tonë dhe t’i ndihmojë edhe asaj për gjithçka. Mendoj se kemi arrit të bëjë një punë të mirë dhe gjithçka ka shkuar shume mirë”, u shpreh ajo duke shtuar se tashmë i mbetet publikut që të jap vlerësimin mbi punën e bërë.

Në shfaqjen “Pa mure” premiera e të cilës është më 8 shkurt do të paraqitën balerinët: Aulonë Nuhiu, Sead Vuniqi, Vjollca Llugiqi, Luljeta Ademi, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Muhamet Bikliqi, Sinan Kajtazi, Abetare Hyseni, Leonora Rexhepi, Behie Murtezi, Mimoza Bytyqi, Donmir Bilalli, Drilon Podrimçaku, Mërgime Morina, Vlora Prizreni, Liridon Mziu dhe Ilir Krasniqi./ KultPlus.com

Të ngjajshme