Trupa e Shkodrës sjell në Eksperimental dramën “Kandili i Argjandit” të Martin Camajt

29 Tetor, 2017 - 9:18 am

Drama “Kandili i Argjandit”, shkruar nga Martin Camaj dhe vënë në skenë nga regjisori shkodran, Fatbardh Smaja erdhi për publikun nga trupa e teatrit “Migjeni” të Shkodrës në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Një vepër që përcjell jo pak mesazhe për publikun. Në dramë interpretojnë Nana- Rita Gjeka; Leka -Jozef Shiroka; Besa- Merita Smaja; shkrimtari- Agron Dizdari; Dora-Eliona Shkreli; Prendi- Enver Hyseni; Njeriu i huaj- Nikolin Ferketa; Katundari- Simon Shkreli. Si aktore Rita Gjeka vlerëson jo pak dramën dhe mesazhin që përcjell përmes saj Martin Camaj.

“Ne mendojmë vetëm me shkelë tjetrin, por Camaj nuk shkelet dot. Martin Camaj është super aktual dhe sot me verën e tij”, pohon mes të tjerave aktorja Rita Gjeka njëkohësisht dhe drejtorie e teatrit “Migjeni” në Shkodër.

Aktorja Rita Gjeka risjell sërish në vëmendje punën e regjisorit Smaja për veprën. “Bardhi me besoi rolin e nënës dhe vazhdimisht më thoshte: Është një nënë me N të madhe dhe është e vërtetë, sepse personazhi im është aq kompleks sa gjatë punës kam pasur shumë kontradikta me veten, shumë dyshime, shumë frikë, por me Bardhin mbi krye mendoj se ja kam dalë”, vijon aktorja.

Në vepër aktorja Merita Smaja pohon se ka qenë një nga projektet për të cilin është punuar jo pak nga artistët dhe regjisori Smaja, i cili fatkeqësisht u nda nga jeta në kohën kur premiera erdhi në teatër. “Flasim për Martin Camaj, për një poet i cili si dramaturg pak është lançuar në Shqipëri. Por më vjen keq që më parë u vu në Tiranë, sepse erdh si një vepër që nuk tingëllon gëgnisht. Me trupën e teatrit tonë vepra ka marr vlerësime. Ka qenë projekt i Fatbardhit, i cili e deshti shumë dhe e punoi me gjithë shpirt, pavarësisht se nuk e pa fundin, nuk pa shfaqjen por ai jetoi me të. Që kur bëri zgjedhjen e veprës ai tha është vepra ime unike dhe më e dashur. Vërtetë që ndodhi ashtu si tha ai”, pohon aktorja Merita Smaja.

Më tej aktorja tregon se edhe pse e shkruar në vitin 1945 vepra i flet shumë dhe kohës sot. “Një vepër që i thotë shumë publikut, sepse nuk është shkruar shumë për atë periudhë pas çlirimit. Ajo që ndodhi me familjet pasura shqiptare pas çlirimit, të cilët u ndjenë nën trysninë e një pushteti diktatorial që i bëri të ndjeheshin jo vetëm keq, por të fuste dhe në grindje midis një familje. Kjo ndodh kur diktati është i madh dhe dhuna po ashtu”, tregon aktorja Smaja për veprën që mbrëmë erdhi në skenën e Tiranës.

Drama

“Kandili i Argjandit” është një dramë social-politike që mund të vetëkuptohet arsyeja pse i ka munguar lexuesit dhe spektatorit gjatë periudhës së diktatorit, por nuk mund të justifikohet tërësisht arsyeja e mungesës së saj në skenë për dy dekada. Ama vlen për t’u theksuar se regjisori Smaja pati mprehtësinë e duhur që, pikërisht në këtë situatë aspak shpresëdhënëse për spektatorin, të sjellë dritën e “Kandilit të Argjandit” në kohën më të volitshme të tij. “Kandili, dritëpërҫuesi i një jete të dalë nga errësira e kohës së territ e tmerrit, na jep tabllonë e frustrimit psikologjik që kanë kaluar mijëra familje shqiptare në periudhën e parë të vendosjes së regjimit komunist. Drama u shkruajt rreth viteve ’50, por tingëllon e afërt në kohë edhe pas kaq dekadash” thotë studiuesi Behar Gjoka. Arsyet sociale dhe politike duket sikur po përsëriten Fatbardh Smaja i solli publikut dramën e Camajt. Ai e plotësoi misionin e tij. Camaj dhe Smaja e thanë të vetën me dritën që sollën përmes “Kandilit të Argjandit”. (Marrë nga SotNews)./ KultPlus.com

Të ngjajshme