25 Shtator, 2020 - 1:51 pm
Në hapësirë të hapur, për shkak të pandemisë me Covid-19, në oborrin e shkollës fillore komunale “Sait Najdeni” në Dibër, mbrëmë filloi edicioni i 19-të i festivalit “Teatri Shqiptar në Maqedoni”.
Duke e shpallur si të hapur kryetari Hekuran Duka pjesëmarrësve, mysafirëve dhe publikut, iu dëshiroi mirëseardhje dhe ditë të suksesshme të festivalit.
“Kam nderin dhe privilegjin që ta shpall të hapur festivalin, i cili është sinonim për Dibrën, ku po mbahet për të 19-ën herë. Kam kënaqësinë që jam në mesin e artistëve të teatrit të cilët gjithmonë vijnë, ekzistojnë dhe kujdesen që lartë t’i ngrisin ndjenjat shpirtërore te njerëzit. Këtë vit, në kushte më specifike, u angazhuam bashkë me drejtorin e festivalit Ylber Nuredini, ta vazhdojmë traditën e mbajtjes së këtij manifestimi të rëndësishëm. Si pushtet lokal dhamë mbështetje të plotë që të mbahet festivali ndërsa për shkak të asaj që mbahet në qiell të hapur të jem i sinqert më përkujton në mbajtjen e dramave nga koha antike”, tha kryetari Hekuran Duka duke e shpallur si të hapur festivalin.
Ai shtoi se komuna e Dibrës gjithmonë ka gjetur mënyra dhe mundësi që t’i mbështesë të gjitha aktivitetet kulturore dhe sportive dhe kështu do të vazhdojë.
Nderi që të shfaqet e para i takoi Produksionit Teatror DVSH nga Tirana me komedinë “Nuk shikoj, nuk dëgjoj nuk flas”, me tekst të autorit grek Jorgos Teodosiadis ndërsa me regji të Donard Hasanit dhe Valdrin Hasanit.
Komedia “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas”, nuk është thjesht vetëm një komedi që të bën të kënaqesh së qeshuri me humorin fin, por sepse përtej kësaj mbartet edhe drama e brendshme e çdonjërit prej personave me aftësi ndryshe edhe përpjekja e tyre për të jetuar, dashuruar, punuar normalisht si të tjerët, edhe mesazhet e forta sensibilizuese ndaj shoqërisë që duhet ta mbështesë e ta konsiderojë këtë kategori, në bashkëjetesë normale me ta, tha drejtori i festivalit Nuredini, duke paralajmëruar shfaqjen e aktorëve nga Tirana.
Sonte do të prezantohet Teatri Kombëtar nga Prishtina, me shfaqjen “Trenat” në regji të Zana Durakut dhe produksioni “Films n’roses nga Shkupi me shfaqjen “Ashensori nga artë” me regji të Mentor Nuredinit.
Në ditët në vijim do të shfaqen edhe dy trupa të teatrove nga Tirana dhe një nga qyteti i Fierit, si dhe teatri shqiptar nga Shkupi.
Festivali do të mbyllet në 29 shtator me shfaqjen “Vajtimi i Bardhë” me regji të Milto Kutalit dhe interpretuar nga teatri “Bulis” nga qyteti shqiptar i Fierit. Pastaj pasohet nga ndarja e çmimeve për shfaqjen më të mirë, regjisorin, aktorin dhe aktoren më të mirë.
Mbajtja e festivalit, si dhe edicionet e mëparshme, këtë herë mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës, pushteti lokal, si dhe nga disa kompani. / KultPlus.com