24 Nëntor, 2020 - 11:19 am
Medina Pasoma
Shtigjet mes jetës dhe vdekjes e çështjet e luftës dhe pasluftës u paraqitën mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës nëpërmjet roleve të aktorëve në shfaqjen premierë “Ura” të regjisorit Astrit Bytyqi, shkruan KultPlus.
Skena e errët u ndriçua dhe filloi të krijohej një “lojë” dritash, aktorët filluan të thellohen në personazhet të cilat e përbënin rrëfimin, ndërkaq audienca priste me padurim çdo pjesë të dramës.
Aktorët Avni Dalipi dhe Afrim Muçaj kishin marrë vendet e tyre, për të shfaqur personazhe krejtësisht të kundërta, mirëpo që kanë tejet shumë pika të përafërta. “Ura” nuk mbeti vetëm emërtim shfaqjeje por, ajo u kthye në simbolikë të personazheve, tentim vrasje dhe rikthim shprese por, mbi të gjitha në gjetjen e kuptueshmërisë së jetës.
Shfaqja, skenarin e së cilës e shkroi profesoresha Seadet Beqiri, trajtoj tema të ndryshme. Individi portretizohej si mjet përfaqësues i shoqërisë dhe si qenie ndryshimi. Doni, një luftëtar i lirisë së Kosovës, pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare i kishte shpëtuar vdekjes dy herë radhazi nga okupatori. Mirëpo, paslufta do të ishte ajo që do ta bënte shpirtin e tij “të vdiste”, kur humb gruan dhe vajzën.
Në anën tjetër, Rroni i cili kishte gjithçka në dorë, i ngrit duart kundër jetës, mirëpo duket se dikush tjetër ia ndërroi rrjedhën vendimit të tij.
Për shfaqjen ku dy protagonistë takohen te ura dhe thellohen në idenë nëse jeta ka kuptim apo jo, na foli regjisori Astrit Bytyqi, i cili për KultPlus theksoi se për të kishte qenë kënaqësi regjisura e tekstit të ish-profesoreshës së tij, Seadet Beqirit.
“Momentin që jam ballafaquar me tekstin kam parë se ai trajton shumë çështje, ngjarje dhe tema brenda vetes. Mirëpo e gjitha ajo që unë kam dashur ta krijoj ka qenë një koncept, që u pa nga publiku përmes aktorëve dhe punës së tyre”, nisi regjisori rrëfimin e tij.
“Ura” kishte pasur një periudhë provash prej 2 muajsh me të gjitha vështirësitë, të mirat dhe sfidat që i kanë dal përballë gjatë rrugëtimit.
“Si vepër kur e kam marrë kam dashur mbi të gjitha ta vlerësoj luftën, mënyrën se si kanë luftuar të parët tanë dhe se si na kanë sjell në këtë ditë që ne të jemi të lirë, të punojmë e të veprojmë. Gjithë fokusin e shfaqjes e kam dërguar në atë kahje që ta shohim edhe anën tjetër, të gjithë ata që kanë luftuar dhe vepruar në vendin tonë e kanë pasur një arsye të caktuar, e ajo ka qenë liria jonë”, shprehet Astrit Bytyqi.
Kjo shfaqje kishte mesazhe të shumta dhe të papritura, të cilat bënin që të shfaqeshin kthesa emocionale përbrenda saj. Mirëpo ajo që veçon Bytyqi në këtë rast është ballafaqimi i ushtarit me luftën dhe shpëtimi nga vdekja, ndërkohë që pasluftës ai humb të dashurit e tij.
‘’Vjen një moment kur ushtari humb vajzën edhe gruan e tij, e gjitha kjo bëhet bashkë me dhimbjen e tij, që e shtynë të ndërroj lokacion, të lë shtëpinë e të gjej strehim te një urë. Aty ballafaqohet me personazhin tjetër, e që ushtari ia jap vetes një mision, që çdokush që vjen aty t’iu bëhet mbështetës, ta rikthej kuptimin e jetës për të”, tha regjisori Bytyqi.
Aktori Avni Dalipi, në këtë shfaqje ka luajtur një rol jo të lehtë, atë të ushtarit. Ai shprehet se personazhi që i dha jetë, Doni, nuk kishte guxim të rikthehej në jetën e tij të dikurshme, andaj ia caktoi vetes një mision të veçantë.
“Qëllimi i tij ishte që t’i largoj nga rruga e gabuar të tjerët, t’i tregoj të gjithë njerëzve se sado që je i ngarkuar, të ballafaqohesh me realitetin është më mirë sesa të largohesh nga ai”, shpjegoi Dalipi.
Avniu tutje sqaron se jo vetëm si aktor por edhe si njeri, ky rol ka qenë më emotiv dhe se shpesh në jetën e përditshme na ndodh të jemi një “Don” dhe të bëhemi një urë mes vdekjes e jetës, duke i ndihmuar njerëzve të kalojnë nga e zeza në të bardhën.
“Brenda neve, në zemrat e shpirtrat tanë kemi vragë të natyrave të ndryshme nëpër këto periudha që kemi kaluar. Ditëve të fundit po ballafaqohemi me gjykimin në Hagë, dashtë e pa dashtë kjo na kthen në kujtimet e mëhershme dhe përjetimet që kemi pasur, e që kjo mund të na lëndojnë shumë në jetë”, ndërlidh Dalipi shfaqjen me aktualitetin.
Në mes të përpjekjeve jetë-vdekje, ekziston një mes, në të cilën aktorët gjallërohen duke e kënduar këngën “Sytë e zi”. Deri në atë moment, Avniu thotë se shfaqja ka pamjen e një klinike psikologjike, ku njëri e këshillon tjetrin duke e ngacmuar.
“Një nga momentet që përbëjnë kthesën emocionale është kur Doni i thotë Rronit ‘’këmbën tjetër, e jo atë’’ dhe ky e sheh që dikush po e pengon poshtë dhe në atë moment kur personi që dëshiron të bën vetëvrasje e sheh tjetrin, tërhiqet”, thotë aktori Dalipi.
Pjesa e këngës përveç që do të mbetet në mendjen e shikuesve, ajo ka lënë një vend të veçantë edhe te aktori Avni Dalipi. Kjo pjesë për të vlerësohet si ndërruese e rrjedhës së ngjarjeve, ku pas këndimit të përbashkët, personazhi të cilin e luajti ai fillon të mos jetë vetëm dëgjues i ndodhive të tjetrit, por edhe rrëfyes për jetën e tij.
“Përmes kësaj shfaqje kemi tentuar t’iu themi njerëzve që pavarësisht këtyre gjërave ne duhet të tentojmë që problemet t’i shndërrojmë në mundësi, e jo në shkatërrime e mbyllje për ne, sa të na humbasin edhe kuptimin e jetës”, tha për fund aktori Dalipi.
Shfaqja artistike “Ura” u duartrokit fuqishëm nga audienca dhe zuri vend në historinë dhe aktualitetin kosovar. / KultPlus.com