Vallet më të bukura të Tropojës ”pushtuan” amfiteatrin e Tiranës

5 Tetor, 2019 - 3:00 pm

Ritmet e muzikës dhe valleve më të bukura të Tropojës ‘pushtuan’ mbrëmjen e djeshme amfiteatrin veror te Liqeni Artificial, në kryeqytet.

Në koncertin recital “Me vallet më të bukura të Tropojës”, krijuar me dashuri nga “Mjeshtri i Madh” koreografi Skënder Haklaj, artdashësit kryeqytetas mirëpritën interpretimet e mrekullueshme nga artistët.

Valltarët nga mosha 4-vjeçare deri në atë 80-vjeçare, si dhe mjeshtri i madh Ali Mula, 91 vjeç, interpretuan krijimtarinë më të bukura në vite të valleve të Tropojës që i jetojnë skenës që në vitin 1979, apo në 1986. Ky koncert synon gjithashtu edhe lartësimin e projektit tashmë shumë të njohur “Kcimi Tropojës drejt UNESCO-S”.

“Kcimi i Tropojës” është një nga thesaret më të çmuara të trashëgimisë kulturore e artistike të Shqipërisë dhe duhet të promovohet edhe më tej, për t’u bërë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore.

Vallja apo “Kcimi i Tropojës” është e lashtë sa vetë popullsia e kësaj krahine dhe është karakteristike vetëm për këtë zonë në veri të Shqipërisë. Kjo pasuri e çmuar kombëtare është shpallur nga Ministria e Kulturës dhe Akademia e Shkencave, si pjesë e listës së kryeveprave të Trashëgimisë Kulturore jomateriale.

Muzika e bukur, lëvizjet plot hijeshi të vajzave që kombinohen me lëvizjet plot vendosmëri të djemve, bëjnë që kjo valle të përcjellë një atmosferë vërtet unike në çdo event ku luhet. Hapja e krahëve nga ana e valltarëve djem krijon simbolikën e hapjes së krahëve të shqipes, e tek ky element kaq i dukshëm kombëtar vallja fiton dhe një vend të veçantë në zemrat e shqiptarëve që e kërcejnë atë./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme