14 Tetor, 2024 - 5:35 pm
Shoqata Sindikale e Artistëve të TKK-së, ka njoftuar se shfaqja “1984” e Teatrit Kombëtar të Kosovës, që hap festivalin ITF “Skupi Festival” në Shkup, do të fillojë me një orë vonesë, si shkak i grevës së paralajmëruar për përmirësimin e koeficienteve të pagave për aktorët dhe punëtorët e institucionit.
Sindikata më tej ka njoftuar se në rast se nuk do të ketë reflektim nga institucionet vendimmarrëse për realizimin e kërkesave të tyre deri më 1 Nëntor, do të kalohet në grevë të plotë ku do të anulohen të gjitha shfaqjet e parapara në programin e TKK.
Një muaj më parë Sindikata e Artistëve pati njoftuar se në shenjë pakënaqësie për kushtet aktuale do të aplikojë vonesën e zhvillimit të provave prej dhjetë minutave, duke bërë të ditur se ky hap ishte paralajmërim i përshkallëzimit të grevës, deri në realizimin e kërkesave të aktorëve të këtij institucioni.
Shfaqja “1984” do të nisë në orën 20:00, dhe jo në 19:00 siç ishte paraparë fillimisht në program.
“Në shenjë solidariteti me kërkesat e Sindikatës së Artistëve të Teatrit Kombëtar, festivali ka zhvendosur për një orë të gjitha shfaqjet e festivalit . Falënderojmë drejtuesit e festivalit për mbështetjen e tyre ndaj kauzës sonë të drejtë”, thuhet në komunikatën e Sindikatës së Aristëve./ KultPlus.com