Vazhdon programi i Etnofest 2024, nga teatri deri në muzikë: Si po transformon ky festival fshatin Kukaj në qendër të Kulturës

12 Gusht, 2024 - 4:38 pm

Alisa Buzhala

Ka filluar tashmë edicioni i 14-të i festivalit të artit dhe kulturës tradicionale. Fshati Kukaj në Prishtinë mbizotërohet  nga një frymë e natyrshme e lumturisë dhe emocionit. Këtë vit,  Etnofest ka zgjedhur si temë shtyllë “Lumtuninë”, duke e shndërruar festivalin në një përvojë magjike që eksploron thellësitë e ndjenjave, gjetjes së pikave të lumturisë, të ndërtuara mbi sintezën e lirisë dhe dashurisë.

Përmes një programi të pasur dhe të larmishëm, Etnofest sjell në jetë një harmoni të veçantë midis traditës dhe modernitetit, një hapësirë ku kultura me të gjitha trajtat e saja bëhet e prekshme.

Edicioni i 14-të i këtij festivali  arrin t’i qëndroj besnik konceptit origjinal, të impresionojë dhe frymëzojë, me një program të gërshetuar mirë, duke jetësuar forma të ndryshme të punimeve artistike. Nga ushqimi,  muzika, ekspozitat e shumta të hapura, performancat teatrale që ndriçojnë skenën me emocion dhe pasion, deri tek debatet dhe punëtoritë që ofrojnë reflektim, analizim dhe kuptim të thellë.

Ambienti i veçantë i krijuar për këtë festival është i dedikuar që të bëhet shtëpi për artin dhe përzierjen e tij.  Siç e përshkruan Fadil Hysaj, krijuesi dhe organizatori i festivalit, “Ky kompleks është ndërtuar nga e para për të ofruar një hapësirë që bashkon artin dhe traditën. Tendenca ime ka qene që e reja , të jetë në relacion me të vjetrën,  ta përshtat atë , qofte në arkitekturë, në teatër, muzikë, gastronomie etj “. Ai e thekson se festivali rikthen në jetën e publikut një ndjenjë të thellë nostalgjie dhe fëmijërie, duke e bërë secilin  të kërkoj në gjenezën e tij arsyet e formësimit personal dhe shoqërore.

Kjo e veçon programin dhe  etno-kompleksin në tërësi me një dimension emocional.

Pas hapjes spektakulare që patë ky edicion, me 10 gusht, me mbi 10 aktivitete  të pozicionuar në skenat e veçanta që e karakterizojnë kompleksin, me paraqitjet skenike, ekspozitat, shfaqjet dhe koncertet e grupeve artistike të përcjella nga një numër të madh të publikut, dita e dytë pasuese e EtnoFestit pati një program me specifik dhe jo shumë të ngarkuar.

Programi  u hap në mesdite, atëherë kur  regjisori i njohur italian, Mario Biagini, udhëhoqi një punëtori teatrale revolucionare, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të zhyten në teknikën e Jerzy Grotowskit. Kjo punëtori, e zhvilluar nga ora 13:00 deri në 16:00, i ofroi studentëve një përvojë të thellë dhe të veçantë mbi këto teknika. 

Ilirjana Arifi, regjisorja e cila është e përfshirë si bashkëpunuese në zhvillimin e këtij aktiviteti,  theksoi se teknikat e Grotowskit të interpretuara nga Mario Biagini ngjallen interesim të madh tek gjenerata e re e artisteve, për shkak të mënyrës së veçantë të tij, metodës së së punuarit në skenë si dhe raportit me aktorët.  Kjo punëtori teatrore do të vazhdoj përgjatë gjithë edicionit, deri në ditën e fundit, atëherë kur edhe finalizohet shfaqja ‘Etja’ nga Mario Biagini, drejtor i qendrës ‘ Jerzy Grotoëski ‘ Itali.

Në mbrëmjen e udhëhequr nga harmonia e atmosferës së krijuar nga vet publiku prezent, të cilët u panë duke lëvizur nga një skenë në tjetrën, e poashtu në hapësirat ku shërbehej ushqimi tradicional, pas darkës , audienca po priste fillimin e shfaqjes së kësaj mbrëmje.

Ishte shfaqja “Dashuritë e presidentit” nga Miro Gavran, e cila u interpretua nga regjisori Andi Begolli. Bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” & Qendra për zhvillim social, mjedisor, ekonomik dhe kulturor “Smek”, Tirane.

“Pjesëmarrja në EtnoFest është një eksperiment, sfidues. Hapësira në Kukaj është e veçantë prandaj ne jemi munduar të përshtatemi edhe me skenografinë edhe me ndriçimin” citoi regjisori Andi Begolli.

Kjo shfaqje paraqiti një fenomen shoqëror, mbi lidhjet e krijuara, përplasjen,  luftën për dashurinë, fitoren dhe humbjen. Nga kjo shfaqje publiku morri një rol gjykues mbi personazhet dhe të vërtetat e tyre.

Përmbyllja e natës së dytë të këtij edicioni,  u shoqërua nga grupi  muzikor “Çunat e Tironës”, i cili u krijua si grup mes miqsh e bashkëpunëtor artistik, që erdhën nga Tirana për të performuar enkas në festival, duke sjell në skenë meloditë e traditës shqiptare, këngëve të vjetra së Shqipërisë së mesme.

EtnoFest, vazhdon të ofrojë një program të miksuar, ku  këtë vit artdashësit do të kenë mundësi të udhëtojnë në dimensionet e tij deri më 18 gusht 2024.  Ky festival shihet të jetë më shumë se një ngjarje – një strukturë për të zbuluar dhe përjetuar një gamë të gjerë mbi përjetimin dhe kontributin në ruajtjen e sensit tradicional në botën moderne,  duke ofruar një pamje të re dhe të freskët të artit dhe kulturës./ KultPlus.com

Të ngjajshme